Gjergj Vyshka 13.05.2016 13:05
Në Gjakovë të Kosovës ka nisur dje Kampionati Evropian Individual i Shahut. Shqipëria është paraqitur me 8 shahistë, të cilët janë Llambi Pasku, Robert Draci, Timoleo Miço, Bimi Meta, Riza Bregu, Eglantina Shabanaj, Rexhep Masha dhe Diamant Yzeiraj. Por Evropiani Individual nuk ka nisur mirë për shqiptarët, të cilët të gjithë kanë humbur. Madje gjysma e ndeshjeve janë humbur aforfe. Kështu ka ndodhur me Llambi Paskun në përballjen me Mjeshtrin e Madh Ndërkombëtar rusin Najer Evgjeni.
Më pas i njëjti fenomen është përsëritur nga Robert Draci në përballjen me Mjeshtrin e Madh Ndërkombëtar turkun Aleksandër Ipatov. Por e njëjta situatë është dhe në përballjen e Timoleo Miços me Mjeshtrin e Madh Ndërkombëtar nga Rusia, Danil Dubov. Dhe i fundit që ka humbur aforfe ka qenë Bimi Meta përballë Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar, ukrainasit Aleksandër Zubov. Por edhe duke luajtur janë mundur Riza Bregu nga Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar nga Armenia, Ter-Sakahian Samvel.
Po kështu dhe Eglantina Shabanaj ndaj Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar nga Kroacia, Ante Sariç. E si për të vërtetuar që nuk është dita për të ngritur kokën ka ardhur dhe humbja e Rexhep Mashës ndaj Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar nga Bjellorusia, Aleksej Aleksandrov. E i fundit që ka rënë ishte Diamant Yzeiraj përballë Mjeshtrit Ndërkombëtar nga Islanda, Gudmur Kjartanson. Kësisoj Evropiani Individual i Gjakovës ka nisur me humbje, gjysma e të cilëve në “tavolinë”.
Dhe duket se të katër shahistët që kanë humbur në këtë tur të parë të Evropianit, ndoshta për mosparaqitje, pra Llambi Pasku, Robert Draci, Timoleo Miço dhe Bimi Meta nuk do ta vazhdojnë më garën, ndërsa janë të regjistruar 243 pjesëmarrës.