Gjergj Vyshka 28.10.2014 17:05
Kampionati Evropian i shahut për mosha, i cili është duke u zhvilluar në Batum të Gjeorgjisë dhe përfundon sot, ka sjellë një tjetër humbje për më të mirën e kombëtares së Shqipërisë. Bëhet fjalë për Klean Shuqja, e cila tek grupmosha e 8-vjeçareve, ka pësuar humbjen e dytë me hungarezen Gal Zoka. Për rrjedhojë me 5 pikë, që kanë ardhur nga katër fitore dhe dy barazime, Shuqja është në vendin e 12-të mes 63 pjesëmarrësve.
Një rezultat shumë i mirë, por dy ndeshjet e fundit duket se kanë treguar që shahistja është lodhur nga intensiteti i ndeshjeve, por pse jo dhe nga konkurrentet e forta që ka pasur përballë. Kanë qenë dy barazimet me dy ruset, apo dhe ndeshjet e tjera, që kanë sjellë një paraqitje të mirë të Shuqja, e cila përtej këtyre dy humbjeve të fundit mbetet më e mira e Shqipërisë në këtë Evropian. Ndërkohë për Nën-18-vjeç djem, Ted Shpati ka arritur fitoren e tij të dytë, teksa ka mundur gjeorgjianin Vasil Dotiashvili.
Me 2 pikë në tetë ture ai është i 62-ti mes 64 pjesëmarrësve. Tek Nën-16-vjeçarët, Timoleo Miço është mundur letonezi Dmitrijs Tokranovs dhe me katër pikë është i 48-ti mes 89 pjesëmarrësve. Po kështu është mundur dhe Devid Spiru tek Nën-14-vjeçarët, nga letonezi Fedor Poliakov dhe me 2 pikë pozicionohet i 94-ti mes 99 pjesëmarrësve. Ndërkohë ka gjetur fitoren Pirro Marko tek Nën-12-vjeçarët, teksa ka mundur kroatin Tibor Kakuk dhe me 2.5 pikë është i 110-ti mes 121 pjesëmarrësve.
Dhe në fund, ten Nën-16-vjeç vajza, Suzana Kërçiku është mundur nga grekja Reveka Salahidou dhe me 2.5 pikë është e 61-ta mes 67 konkurrenteve. Kampionati përfundon sot.