Gjergj Vyshka 23.10.2014 13:05
Fenomenale dhe e jashtëzakonshme mund të cilësohet paraqitja e Klean Shuqjas në Kampionatin Evropian të moshave të shahut, që është duke u zhvilluar në Batum të Gjeorgjisë. Në turin e katërt, Shuqja ka mundur bullgaren Petia Karaivanova, me koeficientin ELO 1626. Një lojë e mrekullueshme e saj, të paktën dhe sipas specialistëve të katrorëve bardhezi, dhe sot me katër pikë është në vendin e dytë të grupmoshës deri në 8 vjeç mes 63 pjesëmarrësve.
Sot ka një tjetër sfidë të fortë, e cila është me kryesuesen e grupit, rusen Zhana Lesnik. Ndërkohë duke vijuar me femrat, për Nën-16-vjeçaret, Suzana Kërçiku ka marrë fitoren e saj të parë, teksa ka fituar aforfe, ndërsa me 1 pikë është në vendin e 61-të mes 67 pjesëmarrësve. Timoleo Miço për Nën-16-vjeçarët ka barazuar me gjeorgjianin Giorgi Bekvaja dhe me 1.5 pikë është në vendin e 67-të mes 89 pjesëmarrësve.
Po kështu barazim ka dalë dhe David Spiru ndaj gjeorgjianit Nikoloz Khapava, në grupmoshën Nën-12-vjeç, dhe vetëm me gjysmë pike është i 98-ti mes 99 pjesëmarrësve. Vazhdojnë të mos jenë në formë Ted Shpati tek Nën-18-vjeçarët, ndërsa është mundur nga islandezi Dagur Ragnarson. Dhe për rrjedhojë mes 64 pjesëmarrësve është i 63-ti. Dhe të njëjtin hap të gabuar ka bërë dhe Pirro Marko të Nën-12, ndërsa është mundur nga azerbajxhanasi Elshad Guluzada.
Është i 120-ti mes 121 pjesëmarrësve. Ndaj dhe Klean Shuqja vazhdon të mrekullojë shahun shqiptar në këtë Evropian moshash.