Gjergj Vyshka 25.09.2015 08:00
Ka përfunduar dje pasdite në Poreç të Kroacisë turi i pestë i Kampionatit Evropian të shahut për moshat nga 8, deri në 18 vjeç. Ndër tetë shahistë, të cilët përfaqësojnë Shqipërinë, spikasin fitoret e Tedi Shpatit dhe Adrian Gurit. Shpati në grupmoshën për Nën-16-vjeçarët djem, ka mundur zviceranin Martin Shvejghofer, kurse Guri tek Nën-8-vjeçarët, teksa e kishte suksesin e tij të parë, ka mundur rusin Ivan Eremin.
Ndërkohë janë katër barazime, të cilat kanë ardhur nga Zino Veleshja për Nën-14-vjeçarët, përballë finlandezit Valo Hallman, Pirro Marko për Nën-12-vjeçarët, përballë italianit Rafaele Buonano, Suzana Kërçiku për Nën-16-vjeçaret, përballë kroates Zorana Vujkaloviç, si dhe Klean Shuqja për Nën-10-vjeçaret, përballë shahistes bullgare Sofia Kasaeva.
Dhe të vetmet humbje janë regjistruar nga Timoleo Miço për Nën-18-vjeçarët djem, përballë bullgarit Rumen Nikolov, dhe Vito Deni për Nën-10-vjeçarët, nga bjellorusi Baris Vainershuk. Dhe pas turit të pestë gjendja e pikëve të shahistëve tanë është si vijon: Klean Shuqja 3 pikë, Tedi Shpati dhe Zino Veleshnja 2 pikë, Timoleo Miço, Vito Deni, Adrian Guri dhe Suzana Kërçiku 1, Pirro Marko 0.5 pikë.
E më e mira e Shqipërisë në Evropianin e moshave mbetet Shuqja, e cila me dy fitore dhe dy barazime, ndodhet në vendin e shtatë vetëm një pikë larg kreut. Kampionati përfundon më 30 shtator 2015.