Gjergj Vyshka 05.01.2017 14:35
Adrian Guri ka zënë vendin e tretë në turneun e 25-të ndërkombëtar të qytetit të Montekatinit në Itali, që është zhvilluar në një hark kohor prej 3 ditësh. Më saktë, kjo veprimtari, ku shahisti 9-vjeçar ka marrë pjesë, është zhvilluar nga data 27 dhjetor-30 dhjetor 2016 me 6 ture. Guri ka grumbulluar 4.5 pikë në 6 ture, teksa ka arritur 4 fitore, 1 barazim dhe një humbje.
Ai ka fituar nga Fabio Danieles, Marko Montit, Sabrina Mekarones dhe Mikele De Gaetanos. Po kështu ka barazuar me Stefano Maraçin, ndërsa është mundur nga Lapo Rokanti. Në përgjithësi pjesëmarrja e tij në këtë turne ka kënaqur dhe trajnerin e tij Shkëlqim Çela, i cili ka fare pak që merret me Gurin, që në fakt që në hapat e para duket një shahist me të ardhme.
Dhe duke thumbuar të gjithë komunitetin e shahut, Çela do të kishte dhe një përgjigje për ta, ndërsa ka qenë i përjashtuar dhe nga Asambleja Zgjedhore, që është zhvilluar me 28 dhjetor 2016 në Hotel “Mondial”: “Unë merrem me punë dhe jo me llafe, si ato parazitët”. Sepse, në fakt, Guri e ka nisur turneun si i 49-ti dhe e ka përfunduar atë i 3-ti me 4 fitore, një barazim dhe një humbje dhe me një koeficient elo 1149.