AlbanianSport.com 10/09/2021 20:25
ASNN – Zhvillohet ceremonia e nisjes së edicionit të ri, Teuta-Partizani ngre siparin e “Abissnet Superiore”. Ka nisur rrugëtimin të premten në mbrëmje edicioni i 83-të i nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore, që duke nisur nga ky sezon e për 3 edicione me radhë do të quhet “Abissnet Superiore”. Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një ceremoni për nisjen e sezonit të ri në fillim të ndeshjes Teuta-Partizani, sfida e parë e kampionatit që u zhvillua në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Në prolog të sfidës ish-kapiteni Renato Arapi shkelmoi topin e parë. Futbollisti i dashur për tifozerinë durrsake, por edhe më gjerë, vendosi të varë “këpucët në gozhdë” pas aventurës evropiane me “Djemtë e Detit”. Ai fitoi gjithçka me këtë fanellë, duke qenë edhe një frymëzim për brezin e ri. Renato fitoi me Teutën jo vetëm një Kupë të Shqipërisë, një Superkupë dhe titullin “kampion”, por edhe dashurinë dhe mirënjohjen e popullit durrsak. Gjithashtu, ky sezon nisi do të sjellë risi të rëndësishme, duke filluar që nga përdorimi për herë të parë i sistemit “VAR” në të gjitha ndeshjet e Superiores.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) arriti brenda një kohe të shkurtër që të përgatisë të gjithë logjistikën e duhur dhe trajnimin e stafit dhe gjyqtarëve, duke qenë gati në kohë për nisjen e sezonit. Ndeshja Teuta-Partizani, përveçse ngriti siparin e kampionatit do të hyjë në histori si sfida e parë që u luajt me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) në fushë dhe ai u përdor. Ndërkaq, risi tjetër është firmosja e marrëveshjes 3-vjeçare mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kompanisë së internetit “Abissnet”, që do të jetë sponsor i Kategorisë Superiore.
Duke nisur nga ky edicion e në 3 sezonet e ardhshme, përkatësisht, 2021-2022, 2022-2023, 2023-2024, kjo veprimtari nuk do të quhet më “Kategoria Superiore”, por “Abissnet Superiore”. Një hap i rëndësishëm i lidhur mes institucionit të vetëm të futbollit në vend dhe kompanisë së njohur ka si qëllim të sigurojë të ardhura shtesë për klubet e futbollit dhe që është bërë në shembullin e kampionateve më të mira evropiane. Java e parë e “Abissnet Superiore” do të vijojë të shtunën dhe të dielën me ndeshjet Tirana-Skënderbeu, Egnatia-Kukësi, Kastrioti-Dinamo dhe Laçi-Vllaznia