AlbanianSport.com 16.08.2015 14:35
ASNN – Do të jetë Partizani-Laçi ndeshja e parë hapëse e sezonit të ri të Kategorisë Superiore, edicioni 2015-2016. Ishte programuar që kampionati të niste më 22 gusht 2015, por faqja zyrtare e klubit kryeqytetas ka njoftuar sot se FSHF ka vendosur që përballja mes të kuqve dhe Laçit të luhet të premten, më 21 gusht, duke nisur ora 20:00 në “Qemal Stafa”, duke qenë kështu edhe ndeshja hapëse e kampionatit në këtë sezon që pritet të nisë.
Në fakt, ky ndryshim nga kalendari na rikthen edhe një herë dukurinë e mosrespektimit të vetë programit të ndeshjeve të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit nga organizmi që e qeveris këtë sport në Shqipëri. Me këtë vendim të FSHF-së, të imponuar mbase edhe nga e drejta televizive, java e parë e këtij sezoni të Kategorisë Superiore nis e cunguar.
Nga 5 përballjet e planifikuara, do të luhen vetëm 3 në ditët e parashikuara, e më konkretisht Flamurtari-Teuta, që nuk do të luhet në Vlorë, Kukësi-Bylis dhe Tërbuni-Tirana. Partizani do ta nisë që të premten sezonin e vet me sfidën me Laçin, ndërsa, sikundër u mësua ditët e fundit, Vllaznia-Skënderbeu është shtyrë për në shtator, për t’i ndihmuar korçarët në dy betejat e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve.
Ajo që duhet kujtuar këtu, është se, si të kualifikohen për në Ligën e Kampioneve, si të vazhdojnë më tej aventurën e tyre kontinentale në Ligën e Evropës, nga shtatori, deri në dhjetor, Skënderbeu do të luajë çdo fundjavë një ndeshje ndërkombëtare dhe mbetet për t’u parë sesi do ta “mirëkuptojnë” rivalet “kampionen” në fuqi në kalendarin e Kategorisë Superiore dhe sesi do të sillet Federata në këtë rast.