AlbanianSport.com 25/03/2020 19:50
ASNN – Asambleja e Lidhjes së Klubeve të Futbollit Italian, e organizuar një ditë më parë, në mënyrë virtuale, me videokonferencë, ka zbuluar edhe njëherë përçarjen brenda skuadrave të Serisë A. Ka një front, numri i të cilit rritet gjithnjë e më shumë, ai i atyre që mendojnë që kampionati i sezonit 2019-2020 duhet të konsiderohet i përfunduar për të menduar direkt për sezonin e ardhshëm.
Një vendim që do të merret nga mesi i prillit, pasi nëse do të shtyhet për më tej, atëherë do të ndikonte gjithashtu edhe në sezonin 2020-2021. Hipoteza më e mirë, të nisë stërvitja në fund të prillit, duke i dhënë mundësi lojtarëve që për 10-15 ditë të rimarrin formën fizike, e pranueshme për të nisur pastaj kampionatin në 9 ose 16 maj, duke përfunduar atë në fund të qershorit, duke i dhënë hapësirë Kupave të Evropës.
Por hipoteza e UEFA-s për t’u rikthyer në lojë në fillim të qershorit për të përfunduar kampionatet deri në mes të korrikut dhe më pas përfundimi i shpejtë i Kupave është më pak bindës, pasi sezoni i ri do të kushtëzohej tepër rëndë. Bllokimi është aq i ndërlikuar sa sugjeron që, më mirë të mendohet për hipoteza alternative. Siç raporton e përditshmja e njohur sportive italiane, “La Gazzetta dello Sport”, ka disa ide.
Më konkretet për momentin janë ato të mospërcaktimit të titullit, por kristalizimi i pozicioneve të renditjes aktuale (i cili do të ishte i vlefshëm edhe për kualifikimet në Kupat e Evropës të sezonit të ardhshëm), nuk ka tërheqje dhe shtim të numrit të skuadrave në Seria A me 22 skuadra, vetëm për sezonin 2020-2021, në mënyrë që të mirëpresë Benevento dhe Krotone, dy të parat e Serisë B.