AlbanianSport.com 01.04.2015 18:45
ASNN – Presidenti i federatës Serbe të Futbollit e ka etiketuar duelin me Shqipërinë si më të rëndësishmin në rrugën për t’u kualifikuar në Evropian. “Asnjë prej ndeshjeve të mbetura nuk është më vendimtare se ajo ndaj Shqipërisë, pasi aty luajmë edhe shanset tona”, – ka deklaruar Tomislav Karaxhiç, duke folur për mediat serbe.
Kreu i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç, ende shpreson që Serbia mund të zërë vendin e tretë në Grupin I të Eliminatoreve të Evropianit Francë 2016, kurse ndeshjen e ardhshme, Shqipëri-Serbi, e sheh si vendimtare për përfaqësuesen e vendit të vet.
Pavarsisht diferencës prej gashtë pikësh me Shqipërinë, Presidenti i Federatës Serbe nuk ka pranuar të dorëzohet në garën për të siguruar vendin e tretë të renditjes. Madje ai ka besim se serbët do arrijnë t’i fitojnë katër ndeshjet e mbetura, edhe pse është i zhgënjyer për humbjen ndaj Portugalisë. “Unë kam besim se do t’i fitojmë të katër ndeshjet e mbetura”, – ka deklaruar Karaxhiçi për mediat serbe, duke vijuar: “Dueli i radhës është më 13 qershor 2015 dhe deri atëherë do ta kemi kaluar ngërçin psikologjik.” Ndërkohë, presidenti i federatës serbe ka etiketuar duelin me Shqipërinë si më të rëndësishmin në rrugën për t’u kualifikuar në Evropian. “Asnjë prej ndeshjeve të mbetura nuk është më vendimtare se ajo ndaj Shqipërisë, – ka thënë kreu i Federatës Serbe. – Aty luajmë edhe shanset tona. Do kërkojmë të fitojmë patjetër dhe duhet t’ia dalim mbanë.” Madje Karaxhiçi mendon se Portugalia do jetë një “aleat” në realizimin e objektivit të tyre, pasi shpreson që luzitanët të fitojnë të gjitha ndeshjet, përveç asaj të fundit ndaj serbëve.