AlbanianSport.com 23.10.2014 21:20
ASNN – Shqipëria pati dy raste të mira në ndeshjen e luajtur më 14 tetor në Beograd, por nuk ia doli të mposhtë në fushë Serbinë. Ndeshja u ndërpre për shkak të sulmit të huliganëve serbë ndaj lojtarëve shqiptarë në fushën e lojës. Një rast i ri që shqiptarët të mposhtin Serbinë do të jetë më 9 nëntor. Në Vjenë të Austrisë, Serbia do ta presë Albanian, me të cilin emër njihet Kombëtarja shqiptare në skenën ndërkombëtare të futbollit.
Në fakt, siç raportojnë mediat kosovare, uk bëhet fjalë për ndeshje të përfaqësueseve, por për ndeshje të kategorisë së katërt të Austrisë në futboll. Në kuadër të javës së 13-të të këtij niveli të 4-t të futbollit austriak, klubi “Kaiserebersdorf-Srbija 08” pret klubin “SV Albania”. “Albania” është klub i shqiptarëve që jetojnë në Austri dhe aktualisht udhëheq renditjen e “Landesliga 2”, me 25 pikë të mbledhura në 10 ndeshje. Serbia është e dhjeta në këtë ligë me 13 pikë.
Përballja mes këtyre dy klubeve ka bërë bujë në Austri për shkak të ndërprerjes së ndeshjes ndërmjet Serbisë e Shqipërisë e luajtur të martën e kaluar në stadiumin e Partizanit në Beograd. Në Vjenë pati përleshje mes shqiptarëve e serbëve pas ndërprerjes së takimit. Trazira mund të ketë edhe më 9 nëntor 2014, gjatë përballjes midis klubit serb dhe atij shqiptar, veçanërisht duke patur parasysh atmosferën e ndezur në Ballkan.
“Të gjithë flasim për këtë ndeshje, ndonëse ne kemi edhe disa ndeshje tjera para saj, – ka thënë të martën për gazetat kosovare, trajneri i klubit “SV Albania”, Lulzim Bojku. – Interesimi është i madh në mesin e shqiptarëve, por besohet se njëjtë është edhe te serbët. Ne kur luajmë si vendas kemi rreth 600 shikues në ndeshje dhe të paktën një numër i tillë do të vijë për të na përkrahur në ndeshjen me klubin “Srbija”, që e luajmë si mysafirë.”