AlbanianSport.com 23.10.2014 10:50
ASNN – Ende asnjë vendim nuk është dhënë për fatin e ndeshjes Serbi-Shqipëri të ndërprerë në 14 tetor, për shkak të incidenteve dhe dhunës që u ushtrua në fushë. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për kualifikimin në finalet e Evropianit “Francë 2016”.
Komisioni iEtikës dhe Disiplinës në UEFA është duke vazhduar punën për shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit të paraqitur nga ana e të dy federatave. Si federata Shqiptare dhe ajo Serbe kanë mbledhur materiale të shumta për të mbrojtur tezat e tyre.
Deri në orën 16.30 Komiteti i Disiplinës pranë organizmit që qeveris futbollin kontinental, i mbledhur në Nion të Zvicrës, do të vazhdojë punën për shqyrtimin e të gjitha materialeve të paraqitura nga dy federatat.
Por duket se për shkak të dosjeve voluminoze që po shqyrtohen, Disiplinori i organizmit numër 1 të futbollit evropian do ta shtyjë vendimin për ditën e premte.