AlbanianSport.com 14.10.2014 22:25
ASNN – Nuk ka arritur të mbyllet në mënyrë normale ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për Eliminatoret e Evropianit 2016, për shkak të incidenteve të dhunshme që shpërthyen 4 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Ndonëse prej disa minutash tifozeria serbe kishte filluar të qëllonte me fishekzjarre dhe objekte tymuese në drejtim të futbollistëve shqiptarë, gjithçka doli jashtë kontrollit kur një banderolë e pilotuar me mikrohelikopter, ku ishte stampuar harta etnike e Shqipërisë, e ndërthurur me flamurin kombëtar në qendër, si dhe figurën e Ismail Qemalit në njërin krah dhe të Isa Boletinit në krahun tjetër, si dhe me fjalën “Autoktonë” është shfaqur mbi stadium.
Ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë e vlefshme për grupin “I” të Eliminatoreve të Evropianit 2016, është ndërprerë të martën në minutën e saj të 41-të dhe pritet që organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, të vendosë brenda ditëve të ardhshme për fatin e saj. Takimi u ndërpre pas incidenteve të dhunshme që shpërthyen si në fushën e blertë ndaj futbollistëve kuqezinj, si nga ana e futbollistëve serbë, ashtu edhe të tifozerisë vendase. Gjithçka ka nisur që në minutën e 35-të, kur në drejtim të futbollistit të Kombëtares kuqezi, Ansi Agolli, janë hedhur fishekzjarre dhe objekte tymuese.
5 minuta më pas, një baner i pilotuar me mikrohelikopter, ku ishte stampuar harta etnike e Shqipërisë, e ndërthurur me flamurin kombëtar në qendër, si dhe figurën e Ismail Qemalit në njërin krah dhe të Isa Boletinit në krahun tjetër është shfaqur mbi stadium. Zbritja e flamurit në fushë ka çuar në përplasje fillimisht midis lojtarëve shqiptarë dhe atyre serbë, ndërsa më pas në fushë kanë hyrë tifozë serbë, të cilët kanë goditur futbollistët kuqezi. Më pas gjyqtari anglez, Mark Atkinson, i ka thirrur të dyja në skuadrat në dhomat e zhveshjeve dhe pas një ndërprerjeje prej afro gjysmë ore, UEFA ka vendosur braktisjen e ndeshjes.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga faqja zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin evropian, ku në një njoftim të orës 23:00, sqarohet se ndeshja është braktisur dhe rrethanat që çuan në këtë vendim do t’i përcillen për shqyrtim Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës. Megjithatë, pamjet e përcjella nga mediat ndërkombëtare, kanë dëshmuar dhunën e ushtruar ndaj sportistëve të Kombëtares kuqezi, si nga ana e futbollistëve dhe huliganëve serbë brenda fushës, ashtu edhe nga tifozeria në shkallët e Stadiumit të Partizanit të Beogradit.