AlbanianSport.com 27.10.2014 07:05
ASNN – Dosja e vendimit të 23 tetorit, që përmban edhe arsyetimin e vendimeve të marra nga Komiteti i Disiplinës në UEFA për ndeshjen e ndërprerë midis Serbisë dhe Shqipërisë, ende nuk ka mbërritur në Federatën Shqiptare të Futbollit. Burime zyrtare pranë organizmit që qeveris futbollin në vend, kanë pohuar për Televizionin Shqiptar se afati prej 5 ditësh për apelim, nis në momentin që në FSHF mbërrin kjo dosje.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit po punon intensivisht me dy studiot ligjore ndërkombëtare për të paraqitur një dosje sa më bindëse në Komisionin e Apelit të UEFA-s. Federata Shqiptare e Futbollit është në pritje të mbërritjes së dosjes së vendimit të 23 tetorit, për të ndërmarrë më pas hapat e nevojshëm për të apeluar vendimin e dhënë nga Komiteti i Disiplinës në UEFA për ndeshje e 14 tetorit midis Serbisë dhe Shqipërisë.
Një gjë të tillë e kanë pohuar për AlbanianSport.com burime zyrtare pranë organizmit që qeveris futbollin në vend. Në vendimin e marrë nga Disiplina, e cila ia dha fitoren në tavolinë Serbisë me rezultatin 3-0, por i hoqi asaj edhe 3 pikë nga renditja e grupit I, si dhe e dënoi me dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, ndërsa të dyja vendet u gjobitën edhe me nga 100,000 euro secila, thuhej se të dyja palët mund ta apelojnë këtë vendim brenda 4 ditësh.
Megjithatë, burimet zyrtare në FSHF kanë sqaruar për AlbanianSport.com se afati prej 5 ditësh nis në momentin që në organizmin që qeveris futbollin shqiptar mbërrin dosja e vendimit të 23 tetorit, që përmban edhe arsyetimin e vendimeve të marra nga Komiteti i Disiplinës në UEFA. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit po punon intensivisht me dy studiot ligjore ndërkombëtare, atë angleze “Littleton Chambers” dhe ajo zvicerane “Levy Kaufmann-Kohler” për të paraqitur një dosje sa më bindëse në Komisionin e Apelit të UEFA-s.
Ajo që duhet theksuar, është fakti se, të paktën në 3-4 vitet e fundit, shkalla e dytë e gjykimit sportiv në UEFA ka konfirmuar në mbi 90 % të rasteve vendimet e marra nga, shkalla e parë, Komiteti i Disiplinës. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim se cilat do të jenë hapat që do të ndërmarrë FSHF-ja, e cila ka theksuar se do ta çojë çështjen e më tej, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.