AlbanianSport.com 24.10.2014 17:45
ASNN – Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaron se pretendimet se Shqipëria braktisi ndeshjen janë “produkt i një fantazie të pastër”. Në një intervistë për CNN, Duka thekson se lojtarët kuqezi nuk refuzuan rikthimin në fushë, por ishin të pamundur mendërisht dhe fizikisht të riktheheshin pas dhunës së ushtruar nga huliganët dhe forcat e sigurisë serbe.
Kreu i FSHF-së theksoi se “vendimi i dhënë sot nga UEFA është dukshëm i padrejtë” ndërsa nënvizoi se “dënimet janë qartazi jo proporcionale”. Ai përsëriti se vendimi i dhënë nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s do të apelohet. “Dënimet nuk jane te qarta dhe as proporcionale”, – mësohet të ketë thënë presidenti Duka për gjigantin informativ ndërkombëtar.
Gjate prononcimit te tij, Duka mohoi kategorikisht qe futbollistet shqiptare, refuzuan vazhdimin e ndeshjes, pas largimit nga fusha, duke i etiketuar këto pretendime, si produkt i një fantazie të pastër. “Ekipi shqiptar nuk refuzoi në asnjë moment të rinisë ndeshjen”, – deklaroi Duka për CNN.
Megjithatë, ai saktësoi se ekipi shqiptar është shprehur se nuk janë të gatshëm, fizikisht dhe emocionalisht, që të vazhdojë ndeshjen.