AlbanianSport.com 18.04.2015 07:55
ASNN – Serbët i kanë harruar paksa “dhimbjet” që po ua shkakton dominimi i Kombëtares shqiptare karshi Serbisë, në eliminatoret për Kampionatin Evropian të futbollit “Franca 2016”. Sipas asaj që shkruan e përditshmja kosovare “Zëri”, ata po krenohen sot me fitoren e thellë të përfaqësueses së tyre të hendbollit ndaj përfaqësueses së Kosovës.
Në Fakt, Serbia e Nën-19-vjeçareve fitoi përballë Kosovës me rezultatin bindës, 40-12, në takimin e zhvilluar në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian të Hendbollit për këtë grupmoshë të femrave. Fitorja me 28 gola epërsi i ka kënaqur serbët dhe mediat e tyre, ndërkohë që harrohet se, edhe duke e luajtur këtë ndeshje, Serbia e ka njohur “de facto” në sport Kosovën.
“Dueli historik: Serbia shpartallon Kosovën”, titullohet raporti i ndeshjes nga “Novosti”. Kurse, “Kurir” ka shkruar se kjo ndeshje ishte si stërvitje për Serbinë, duke theksuar se vajzat serbe e kanë thyer përfaqësuesen e Kosovës, madje duke e futur këtë emërtim në thonjëza, pasi ende Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, ani pse tashmë luan ndaj saj. “Hendbollistet serbe mposhtin Kosovën me 28 gola epërsi”, shkruan “Blic”.