Adriatik Balla 12.05.2015 17:50
Sulmi i Kombëtares kuqezi po bind me gola. Të fundit kanë qenë ata të Hamdi Salihit. Shkodrani megjithëse kalojnë vitet nuk humbet nga klasi i tij. Salihi ka shënuar 4 gola në dy ndeshjet e fundit dhe 13 në total për këtë sezon në Izrael. Shkëlzen Gashi po kalon vetveten. Sulmuesi i Bazelit është shumë pranë shpalljes për të dytin sezon radhazi “Këpuca e Artë” në Superligën e Zvicrës.
Gashi ka realizuar 21 gola deri më tani vetëm në kampionat, 2 në Kupë, 1 në Ligën e Kampioneve dhe 1 tjetër me Kombëtaren. Ai është padyshim më rezultativi mes lojtarëve shqiptarë. Në Kroaci blerjet e suksesshme të këtij sezoni janë padyshim Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi. Balaj edhe pse ka mbërritur në janar te Rijeka ka realizuar 8 gola përfshi atë të fundit në fitoren 5-0
me Lokomotivën e Zagrebit. Duke llogaritur ata të shënuar me Sllavian e Pragës në Republikën Çeke dhe atë të në fitoren e bujshme ndaj Portugalisë janë 12. Nga ana tjetër, Cikalleshi është në kuotën e 13 golave deri më tani me RNK Split-in. 24-vjeçari po kalon një formë të shkëlqyer duke mos u ndarë nga lojtarët e tjerë të Kombëtares kuqezi.
Prandaj Xhovani De Biazi për këtë sezon duhet të jetë i kënaqur që sulmi Shqipërisë është një makineri golash. Trajneri italian i Kombëtares kuqezi është shumë i kënaqur me ecurinë e sulmuesve dhe përveç urimeve për paraqitjen, ai nuk heziton të këshillojë vazhdimisht këta lojtarë për sjelljen e tyre në fushë.