AlbanianSport.com 25.04.2016 21:20
ASNN – Janë luajtur të hënën pasdite 4 ndeshjet e para të javës së 31-të të Kategorisë Superiore dhe në takimin që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Partizani ka fituar 1-0 në Kukës, me një gol të Sukajt në minutën e 94-t, duke marre 3 pikë të arta.
Takimi i fundit i kësaj jave, ai midis Tiranës dhe Skënderbeut, i cili është luajtur në mbrëmje, është mbyllur me fitoren e korçarëve me një gol të vetëm, me autor Salihin. Ndeshja nisi me 30 minuta vonesë, pasi fusha ishte në gjendje të rënduar për shkak të reshjeve të shiut.
Skënderbeu rimerr kreun e renditjes me 69 pikë, dy më tepër sesa Partizani, që pati marrë, për mbi 3 orë, vendin e parë, në pritje të ndeshjes së Skënderbeut. Nga ana tjetër, humbja me Partiznin e lë Kukësin në vendin e 3-të të renditjes, por tashmë me pikë të barabarta, 52, me Teutën.
Kjo e fundit ka fituar të hënën 4-1 në Pukë ndaj Tërbunit vendas. Në krahun tjetër të renditjes, Vllaznia ka marre një fitore të çmuar, 2-1, në Shkodër ndaj Flamurtarit. Në një tjetër duel mbijetese, Bylisi ka mundur minimalisht në fushën e vet Laçin, duke i tërhequr kurbinasit në zonën e ftohtë të renditjes dhe duke kapërcyer në renditje mbi Flamurtarin.