AlbanianSport.com 02.01.2017 15:15
ASNN – Ishte një udhëtim 16-vjeçar, që nisi në mënyrën më të pamenduar, por u kurorëzua në mënyrën më të pabesueshme. Në fakt, po të mos kishte qenë e para, nuk do të ishte as e fundit deri më tani, që është edhe më e vlefshmja e mundshme.
Ishte medalja e parë e fituar ajo që e mbajti në fillim të karrierës Majlinda Kelmendin në xhudo, në vjeshtën e vitit 2000, shkruan e përditshmja e mirënjohur e Kosovës, “Koha Ditore”.
Ishin javët e para të saj në këtë sport dhe kampionia e mëvonshme kishte mëdyshjet nëse do ta vazhdonte sportin e xhudos. Vetëm dy javë pasi ishte njohur me këtë sport luftarak, Majlinda, mori pjesë në një turne në Sarajevë, si pjesë e klubit të xhudos “Ippon” nga Peja.
Xhudo ende ishte enigmë për të, por vajza e re në shtëpi u kthye me medalje. Kjo ishte më e rëndësishmja për 9-vjeçaren. Ajo kishte një medalje. Nuk kishte rëndësi mënyra se si u fitua medalja.
Nuk kishte rëndësi që humbi ndeshjen e vetme të zhvilluar në Sarajevë. E rëndësishme ishte që fitoi medaljen. Ishte medalje e bronztë, që jepet për vendin e 3-të, por që në këtë rast kishte edhe një hollësi të pazakontë.
Majlinda e mori atë medalje vetëm se në kategorinë e peshës së saj trupore ishin gjithsej 3 xhudiste. Kësisoj, kishte medalje për të tria sportistet. E nga këtu nisi një rrugëtim i ngadaltë, por i pandashëm.
Një rrugëtim që do ta ndalte hapin vetëm në Brazilin e largët, në skajin tjetër të botës, ku Majlinda Kelmendi, kampione e Evropës dhe e botës, i dha Kosovës të parën medalje olimpike. Duke hyrë tashmë në histori.