AlbanianSport.com 25/02/2018 13:25
ASNN – Një gjykatë në Nju Jork ka vendosur t’i japë të drejtë tenistes së famshme, Juxhini Bushard, e cila do të marrë një dëmshpërblim milioner, për shkak se mungoi në “US Open” në 2015-ën, pas një aksidenti në dhomën e zhveshjes. Kanadezja 23-vjeçare rrëshqiti për shkak të një substance për pastrimin e dyshemesë kur shkoi në dhomat e zhveshjes, pasi luajti një ndeshje më 4 shtator 2015 dhe për pasojë pësoi një tronditje të fortë në kokë, me humbje të përkohshme ndjenjash.
Bukuroshja kanadeze nuk luajti më në vitin 2015 dhe në renditjen botërore zbriti poshtë vendit të 100-të. Kjo bëri që ish-finalistja e “Uimbëldon”-it të kërkonte miliona dollarë dëmshpërblim, për shkak të humbjeve të konsiderueshme nga mungesa e aktivitetit. Pas gjyqit, gjykata vendosi që Shoqata e Tenisit Amerikan ishte fajtore në masën 75% dhe duhet të dëmshpërblejë tenisten, e cili përveç tronditjes së fortë, pati edhe probleme me lëkurën, për shkak të acidit të hedhur mbi dysheme.
Pastruesit e qendrës stërvitore të tenisit pranuan se nuk e dinin që Bushard ishte ende duke luajtur dhe menduan se gjithë tenistët ishin larguar. Tani gjykata do të vendosë mbi shifrën që i takon Bushardit, që zbriti nga vendi i 6-të në botë në vendin e 116-të në botë. Avokati mbrojtës i saj tha që bëhet fjalë për disa milionë dollarë. Pala mbrojtëse pretendoi se Bushard nuk kishte probleme, sepse atë vit u shfaq edhe në kalendarë të revistës “Sports Illustrated” dhe dukej qartë që ishte mirë, por trupi gjykues nuk e mori parasysh këtë justifikim.