Rreli: Ajaksi, shembulli më i mirë i investimit & planifikimit afatgjatë për suksesin (II)

Share Button

AlbanianSport.com 22/04/2019 22:05

ASNN – Ardhja dhe largimi i Kristian Panuçit shënoi një periudhë ngërçi në përfaqësuesen e futbollit të Shqipërisë, për të mos thënë hapa prapa, dëshmuar me rezultatet e dobëta dhe mosrealizimin e objektivave. Natyrisht, vendimi i kreut të FSHF-së Armand Duka për të larguar Panuçin erdhi në kohën e duhur, ndërsa është emëruar për këtë fazë eliminatore të “Euro 2020”-ës një tjetër trajner italian, Edoardo Reja, i cili, ndryshe nga Panuçi, vjen me një eksperiencë të gjatë dhe një trajner i “rrahur” në punët e futbollit.

I kontaktuar nga e përditshmja shqiptare, Gazeta “SOT”, të japë mendimin e tij prej specialisti mbi këto ndryshime dhe pritshmëritë e skuadrës, trajneri historik i Kombëtares, Shyqyri Rreli, thotë se Reja është zgjedhje e duhur dhe se një trajner shqiptar, sado i aftë të jetë, e ka të pamundur të bëjë sipas mendjes së tij për shkak të ndërhyrjeve që bëhen. Rreli është optimist, por edhe kritik, ai vijon t’i mëshojë idesë së kahershme të tij për një projekt kombëtar në sport, një platformë që prek disa drejtime si infrastrukturën, klubet, ekipet zinxhirë dhe kuadrin e aftë sportiv.

E gjithë kjo për t’i dhënë futbollit shqiptar (në veçanti) një dimension të ri profesionalizmi. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në dy pjesë, dje dhe sot dhe sot është pjesa e dytë dhe e fundit.

 

… vijon nga dje

 

– Është një problem jo i vogël në Shqipëri që klubet prodhojnë shumë pak elementë cilësorë. Për të mos shkuar më tej, të themi hapur dhe me fakte që kampionati ynë nuk prodhon kualitet. Edhe lojtarët që dalin nga kampionati shqiptar nuk arrijnë të çajnë në Europë dhe kemi raste plot. Çfarë ka ndodhur që nuk kemi produktivitet?

– Tani dolëm në një çështje për të cilën unë kam folur gjatë dhe jam përsëritur. Në fakt, “shkon gjuha ku dhemb dhëmbi”. Pse? Sepse prej kohësh unë kam shtruar nevojën urgjente për të përmirësuar bazën ko do të ndërtohet e ardhmja dhe kjo është një domosdoshmëri për kushtet e futbollit shqiptar. Nëse ne nuk do të ndërtojmë themele të shëndosha, të mos presim asgjë të mirë. Dhe kjo platformë duhet të nisë me infrastrukturën, organizimin e klubeve dhe natyrisht, hartimin e një projekti gjithëpërfshirës, një platformë që do t’i shërbejë të ardhmes. Siç e keni parë edhe ju, klubet interesohen vetëm për ekipin e parë, duan rezultatet e momentit. E mira do të ishte që të kishte përqendrim tek të rinjtë, por kjo mungon thuajse tërësisht. Unë po ju jap një shembull këtu për të përshkruar sesa të efektshme janë platformat afatgjata në futboll. Ajaksi i Amsterdamit, eliminoi në Ligën e Kampioneve kohët e fundit dy gjigandë, si Reali i Madridit dhe Juventusi. Çfarë organizimi dhe suksesi! U deshën disa vite punë, investim, infrastrukturë, përgatitje, seleksionim dhe në fund vijnë frytet e duhura. Në Shqipëri nuk di, a bën ndonjëri matje të 30-metërshit tek të rinjtë, si stërviten ata, si ecën teknikisht një lojtar i ri dhe si informohet prindi dhe vetë fëmija për cilësitë e tij. A bëhen këto detyra në klubet tona? E pra, janë ca gjëra në dorë të klubit që nëse klubi funksionon si duhet, atëherë hidhen baza të shëndosha për të ardhmen.

 

– Krahasimi në futboll për periudha të ndryshme nuk është domethënës, por, për nostalgji, është koha t’i kthehemi vitit 1984, por edhe 1989, kur ju drejtonit ekipin përfaqësues, i cili ka pasur në përbërje lojtarë të nivelit shumë të lartë teknik dhe që kanë bërë gjëra të bukura si Minga, Kola, Muça, Josa, Demollari, Zmijani e ndonjë tjetër, lojtarë për t’u patur zili, apo jo?

– Ka qenë një brez i shkëlqyer, sigurisht, dhe për këtë meritë nuk kam vetëm unë. Dua të jem modest në këto qëndrime sepse nëse ka pasur lojtarë të kualitetit të lartë kjo do të thotë se klubet kanë punuar mirë dhe është meritë e të gjithëve. Është punuar mirë me moshat dhe me ekipet zinxhirë në tërësi, organizimi ka qenë serioz dhe në nivel të lartë. Ka pasur klasa sportive, mjeshtria sportive, pra shkolla futbolli. Klubet kanë nxjerrë elementë shumë cilësorë. Në atë periudhë nuk kishim mundësi të shumta të tjera, por falë përkushtimit dhe pasionit janë realizuar gjëra të mira. Megjithatë, sot futbolli ka evoluar, ka kushte më të mira dhe profesionalizmi është në rritje, por në Shqipëri, duhet bërë më shumë në ato aspekte që prekëm më lart.

 

– Së fundi, çfarë prisni nga trajneri i ri i përfaqësueses?

– Uroj shumë që trajneri i ri, Reja, të ketë sukses në krye të ekipit përfaqësues të Shqipërisë. Dua që me eksperiencën e tij të na nderojë me lojëra të mira dhe rezultate pozitive. Federatës dhe presidentit Duka, gjithashtu, i urojmë më të mirën dhe shpresojmë të kenë sukses në këto eliminatore. Kur bashkohen forcat dalin gjëra më të mira dhe le të shpresojmë në suksesin e ekipit përfaqësues. Ndërkohë, do të doja që edhe për ju gazetarët, të kihej parasysh, në formë këshille, që për ekipin do të ishte më korrekt termi “Përfaqësuesja e Shqipërisë” e jo “Kombëtarja”, pasi, siç e dini edhe ju, Kosova ka gjithashtu skuadrën e saj, edhe ajo është një skuadër shqiptare, kështu që korrektesa e do që të përdoret për ekipin tonë termi “Përfaqësuesja e Shqipërisë”.

 

Kush është Shyqyri Rreli?

U lind në Tiranë më 18 maj 1930:

Mbaroi ILKF “Vojo Kushi” (sot Universiteti i Sporteve) më 1964;

Ka punuar pedagog në këtë institucion;

Mban titujt: “Mjeshtër i Sportit”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Trajner i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

 

Si trajner:

Dy herë kampion me Tiranën (ish-17 Nëntori)

Dy herë kampion i Ballkanit me Nën-21-vjeçarët

Artikuj të tjerëFaqja Kryesore

FSHF / Seminari i së Drejtës Sportive, Duka: Futbolli, një fenomen global

FSHF / Seminari i së Drejtës Sportive, Duka: Futbolli, një fenomen global

AlbanianSport.com 15/03/2024 22:10 ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) organizon Seminarin

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

AlbanianSport.com 15/03/2024 21:15 ASNN – Vllaznia e Erzeni fitore me shije “play-off”-i, Studenti

Nën-16-vjeçaret / “UEFA Development”, Shqipëria e mbyll me 3 humbje

Nën-16-vjeçaret / “UEFA Development”, Shqipëria e mbyll me 3 humbje

AlbanianSport.com 15/03/2024 20:20 ASNN – Shqipëria e Nën-16-vjeçare në futboll për femra ka luajtur

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

AlbanianSport.com 15/03/2024 19:25 ASNN – Besëlidhja komandon e vetme Superligën, sfidë e fortë

Kombëtarja / Silvinjo shpall listën, kthehet Manaj & Broja, debuton Hoxha

Kombëtarja / Silvinjo shpall listën, kthehet Manaj & Broja, debuton Hoxha

AlbanianSport.com 15/03/2024 18:30 ASNN – Miqësoret ndaj Kilit & Suedisë, trajneri Silvinjo publikon

  

Kuqezinjtë në “Gjermani 2024” – Vendi Organizator & Të rejat më të fundit

banner
banner
banner

Arkiva

banner
banner
banner
banner
banner
banner

Kontakte dhe informacione

Rrjeti Shqiptar i Lajmeve Sportive (ASNN)

PR & Marketing:
Gentiana Kodra (Pine)

Rrjetet Sociale

Rreth Nesh