Gjergj Vyshka 08.08.2016 17:10
Xhudistja pejane: “Faleminderit të gjithë shqiptarëve për përkrahjen. Jam e sigurt që të gjithë e kanë shikuar garën dhe besoj se janë më të lumtur se unë. Urime të gjithëve, urime për medaljen që e kemi fituar bashkë.” Majlinda Kelmendi, menjëherë pas marrjes së medaljes së artë, ka deklaruar se asnjëherë nuk ka menduar të përfaqësojë asnjë shtet tjetër përveç Kosovës. Ajo ka deklaruar se pavarësisht ofertave miliona-euroshe që ka marrë nga shtet e të tjera, i ka refuzuar lehtë sepse ka ëndërruar përherë të përfaqësojë Kosovën.
“Kam pasur dëshirë që të përfaqësoj Kosovën dhe jam shumë e lumtur sepse e kam ëndërruar këtë moment, – ka thënë ajo për mediat kosovare. – Kam refuzuar miliona nga shtete të tjera. Nuk ka para në botë që mund të më bëjë të ndihem si sot”. Majlinda i solli Kosovës medaljen e parë olimpike duke triumfuar në kategorinë e peshës trupore deri 52 kilogramë. Ajo deklaron gjithmonë ka ëndërruar që në karrierën e saj të fitojë një medalje olimpike. Këtë xhudistja kosovare e shpjegoi edhe në konferencën për shtyp, pas triumfit në “Rio 2016” në kategorinë deri në 52 kilogramë.
“Për Kosovën si shtet është e rëndësishme pasi ka pritur shumë vjet dhe jam shumë e lumtur që e kam ngritur flamurin, – ka thënë pejania. – Jam shumë e lumtur që të gjithë fëmijët më shohin si heroinë. Jam e lumtur që një ëndërr u bë realitet.” Menjëherë pas triumfit historik, kur Majlinda i solli Kosovës medaljen e parë olimpike, xhudistja kosovare është “pushtuar” nga mediat botërore. “Jam krenare që kam arritur të tregoj që të rinjtë kosovarë mund të arrijnë suksese të mëdha në sport, – ka thënë ajo pas fitores. – Faleminderit krejt shqiptarëve për përkrahjen.”
“Jam e sigurt që të gjithë e kanë shikuar garën dhe besoj se janë më të lumtur se unë. Urime të gjithëve, urime për medaljen që e kemi fituar bashkë”, – ka përfunduar Majlinda Kelmendi.