Gjergj Vyshka 06.12.2014 10:50
Shtangistja e Tiranës e ka kundërshtuar këtë gjë dhe ka pranuar të bëjë dhe analizën B në Gjermani. Pas pezullimit për shkak se rezultoi pozitive në testin e antidopingut si përdoruese e substancës së ndalur “stanozolol”, Romela Begaj reagon për herë të parë përmes faqes së saj në Facebook, duke deklaruar se arsyeja e gjithçkaje që solli këtë situatë do të merret vesh kur të vijë koha e duhur.
“Gjithçka do të merret vesh kur të vijë koha e duhur, se ku ka çaluar problemi, – shkruan peshëngritësja e mirënjohur shqiptare. – Në emër të të gjithë dashamirësve të mi, në emër të gjithë atyre viteve sakrificë për të realizuar ëndrrat dhe për gjithë ato arritje, ju tregoj se janë shumë djersë, shumë mundime dhe shumë sakrificë. Do t’ju kërkoja mirëkuptim deri në përfundimin e procesit të rishikimit.”
“Ëndrrat për të ardhmen dhe sakrificat nuk hidhen poshtë, nuk humben për arsye të panjohura akoma. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe vazhdojnë të më mbështesin”, – ka përfunduar kampionia e pezulluar e botës në shkëputje Romela Begaj. Peshëngritësja e njohur shqiptare ndodhet në një moment mjaft të vështirë, por nuk është dorëzuar dhe ka kërkuar që të bëjë testin B, teksa më pas do të dëgjohet edhe në Apel.
Gjithçka do të ndodh në Gjermani, atje ku ka shkuar së bashku dhe me Luan Shabanin.