AlbanianSport.com 27.10.2014 13:45
ASNN – Tashmë nuk ka më vend për dyshime. Sipas asaj që raportojnë mediat lokale në Internet, Kreshnik Krepi, nga mbrëmja e së dielës është trajneri i Adës së Velipojës. Një lajm i tillë është konfirmuar si nga Krepi, ashtu dhe nga presidenti Alfred Pjetri, në një kohë që, të shtunën pasdite, pas humbjes me Mamurrasin, Duli kishte dhënë dorëheqjen nga Ada.
Krepi dhe Pjetri janë takuar dje në mbrëmje dhe kanë arritur akordin. Duket se ka qenë një rokadë vërtetë e këndshme. Nëse Kreshnik Krepi dje është zyrtarizuar si trajneri i ri i Adës, sot pritet të ndodhë e njëjta gjë me Besnik Dulin tek Veleçiku. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë skuadrës koplikase, sipas të cilëvë dje Duli ka qenë në Krujë për të ndjekur ndeshjen e luajtur ndaj Burrelit dhe të fituar nga koplikasit me rezultatin 1-0.
Ndërkohë mësohet se paraditen e sotme Duli do të ketë një takim në zyrën e kryebashkiakut-president Ramadan Likaj për të mbyllur marrëveshjen e zyrtarizimit të tij si trajner i Veleçikut. Diçka vërtetë interesante. Brenda pak ditësh, këta dy trajnerë ishin në kampe të kundërta dhe tashmë do i ndërrojnë ato. Të krijohet përshtypja se ka qenë një marrëveshje e përbashkët midis presidentëve Likaj e Pjetri për t’i ndërruar trajnerët.