Anton Zalli (Shkodër) 28.01.2015 18:55
ASNN – Problemi i parketit të Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi” duket se do të marrë zgjidhje shumë shpejt. Prej disa javësh, kompania kontraktuese e cila ka realizuar punimet herën e parë është duke ruajtur një ritëm të kënaqshëm. Në fakt lagështira ka bërë që disa herë punimet në parket të ndalonin, ndërsa tani çdo gjë është drejt fundit. Në një vëzhgim të bërë, shikohet se rishtrimi i parketit është në hapat e fundit të përfundimit të tij.
Në shkurt mendohet se parketi i pallatit të sportit “Qazim Derivishi” të jetë gati për zhvillimin e ndeshjeve. Përsa i përket cilësisë së punimeve, kemi të bëjmë me një tjetër mënyrë, në krahasim me punimet e realizuara vitin e kaluar, duket një punë më me shumë përgjegjshmëri. Kurse cilësia mund të vërtetohet vetëm nga koha dhe kur sportistët të zhvillojnë ndeshjet. Kjo për arsye se edhe punimet e para u duken shumë cilësore në pamje të pare por në realitet ishin krejt të kundërta.
Megjithatë, përpara se të arrihet në konkluzione përpara kohe, e rëndësishme është që punimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo do t’i lehtësonte shumë punën e ekipeve të lojërave me dorë për të mos bërë stërvitje në kushte skandaloze dhe të papranueshme. Aq më tepër më pas, kur ekipi i basketbollit pretendon për fitimin e titullit “kampion”, apo ai i volejbollit për të hyrë në zonën e “play-off”-it. Prandaj, përfundimi i punimeve do të mbyllte një herë e mirë problemet e shfaqura kohët e fundit.