AlbanianSport.com 15.08.2016 12:15
ASNN – Padyshim që Jusein Bolt është ylli i padiskutueshëm i atletikës botërore, por mbrëmë në Brazili ai praktikisht u eklipsua nga një atlet i panjohur, i cili premton të shkruajë kapitullin e vet në historinë moderne të mbretëreshës së sporteve. Uejd Van Najkërk, 24-vjeçari nga Afrika e Jugut e ka shpartalluar rekordin 17-vjeçar të Majkëll Xhonsonit në 400 metra, duke e bërë këtë madje në mënyrën më të pazakontë.
Mund të quhet pa frikë “Berberi i Seviljes”, sepse i ka qethur rekordit të vjetër 15 të qindtat e sekondës dhe e ka bërë një gjë të tillë në mënyrën më të pazakontë dhe përkundër të gjitha gjasave. Afrikano-jugori Uejd Van Najkërk ia vodhi shkëlqimin mbrëmë mbretit të sprintit, Jusein Bolt, duke thyer rekordin 17-vjeçar të Majkëll Xhonsonit, të vendosur më 1999-ën në Sevilje të Spanjës, dhe duke fituar medaljen e artë në garën e 400 metrave për meshkuj.
E për më tepër, e bëri këtë duke garuar në korsinë e 8-të, atë të jashtmen, një pozicion aspak i preferuar nga atletët profesionistë. Van Najkërk, i cili mbërriti në finish me kohën 43 sekonda dhe 3 të qindtat dhe duke lënë dukshëm prapa kampionin olimpik në fuqi, Kirani Xhejms dhe amerikanin Lë’shon Merrit. Përtej shtangies nga rezultati i vetë, 24-vjeçari e cilësoi këtë sukses fryt të besimit të tij në vetvete.
“Kam besuar gjithmonë se mund ta thyej rekordin botëror, – tha Van Najkërk. – Kam ëndërruar gjithmonë për këtë medalje dhe ndihem i bekuar.” Atleti afrikanojugor, i cili pati dhënë shenja të një suksesi të tillë që në Botërorin e 2015, premton mjaft, pasi ka një kohë prej 19 sekondash e 94 të qindtash në 200 metra si dhe 9 sekonda e 98 të qindtat në 100 m.