Gjergj Vyshka 10.08.2016 14:20
145 kg në shkëputje dhe 181 kg në shtytje, në total në dygarësh 326 kg, ndërsa shtangisti shtërmenas është paraqitja më e suksesshme e deritanishme e delegacionit olimpik kombëtar shqiptar. Briken Calja, peshëngritësi i peshës deri 69 kg për meshkuj, është përsëri më i miri i delegacionit olimpik shqiptar në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Është renditur i 6-ti në dygarësh duke qenë tre vende më sipër se sa në Londër. E po kështu dhe rezultatin total e ka më të lartë se sa në Londër, sepse ka qenë 320 kg para katër vjetësh, ndërsa tanimë është 326 kg. Duke lënë mënjanë dy notarët, të cilët janë me ftesë, një pozicion më i mirë në rezultatet e përgjithshme teknike mund të pritet nga Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj.
Sidoqoftë, duke mbetur tek Briken Calja, stërvitja e tij dymujore në resortin “Tropikal” në Durrës, përtej dështimit në ngritjen e peshave, nga 6 ka realizuar 3, e bëjnë këtë shtangist sportistin më në formë. Madje mbetet për t’u admiruar për atë formë të mirë sportive që ka paraqitur dje pavarësisht luftës së deklaratave që kishte bërë me presidentin Viron Bezhani për çështjen e bursës olimpike.
Madje duke kërcënuar me dorëheqje. Por edhe për një motivim më shumë, në një status të tij në rrjetin social “Facebook”, do të deklaronte: “Kërkoj ndjesë të thellë sa i takon pjesës kur deklarova se do të tërhiqem nga Rio 2016. Ishte një veprim i nxituar nga ana ime. Moment dobësie. Ndoshta u tregova dhe egoist, por unë sot do të garoj për ngjyrat e flamurit tonë, për shqiptarët dhe për të gjithë njerëzit që me besuan.”