AlbanianSport.com 21.08.2016 22:40
ASNN – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar edhe një herë tjetër se janë nga një tjetër planet sa i përket sportit të basketbollit, sepse, pas femrave një ditë më parë, edhe meshkujt janë rikonfirmuar si kampionë olimpikë. Në takimin final të turneut të koshit të meshkujve, amerikanët kanë mposhtur pa djersirë shumë atë që është padyshim skuadra më e mirë e kontinentit evropian, Serbinë, me rezultatin 96-66.
Në këtë finale, vetëm pjesa e parë ka qenë disi e barazpeshuar, pasi Serbia i kufizon amerikanët në vetëm 19 pikë, ndërsa vetë nuk shkojnë dot më tepër se 15 pikë. Nuk është më i mirë fraksioni i dytë i lojës, ku amerikanë shpërthejnë, duke shënuar 33 pikë dhe duke i lejuar Serbisë vetëm 14 pikë. Në shifrat 52-29 në favor të amerikanëve do të shkohet në pushim të ndeshjes.
Ndërsa pjesa e 3-të, nuk ka ndryshim, pasi serbët mbeten në kufinjtë e 14 pikëve, ndërsa SHBA-ja shënon 27, duke e thelluar kryesimin në 79-43. Pjesa e fundit do të jetë një formalitet dhe, përtej fitimit të saj nga serbët me shifrat 23-17, amerikanët e fitojnë gjithë ndeshjen 96-66 e, bashkë me të, edhe medaljen e artë. Në takimin për medaljen e bronztë, të luajtur më herët, Spanja ka vuajtur, por ka mundur Australinë me një pikë të vetme, 89-88.