Gjergj Vyshka 05.08.2016 16:10
Shefi i misionit të Shqipërisë në Lojërat Olimpike duke bërë krahasimin me vendet e tjera bën dallimin me atë që ka delegacioni shqiptar në Rio. “Kemi mangësi në pamjen e jashtme, dukemi sikur jemi të zhveshur”. Kështu do ta niste deklaratën e tij për “Sport Ekspres” shefi i misionit të Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, Gjergji Ruli.
Në fakt delegacioni shqiptar është pajisur me një komplet sportiv që duket si uniformë e jashtme, qoftë me tuta të gjata, por dhe me pantallona të shkurtra të bëra në firmën “Makron”. Mirëpo vetëm kaq, sepse të gjitha uniformat sportive do t’i kenë të tyret pa pasur siglën “KOKSH”, apo stemën e Shqipërisë. Përtej kësaj, 6 sportistët janë detyruar të marrin dhe uniforma të tjera.
E shkurt nuk duket se ka një uniformë zyrtare për ceremoninë e hapjes, e cila do të zhvillohet në ora 01:00 të mëngjesit të së shtunës në Tiranë, ashtu sikurse kanë pasur në Pekin 2008. Ndaj dhe Ruli bën dallimin me delegacionet e tjera pjesëmarrëse të cilat janë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Ndërkohë Ruli ka konfirmuar që të gjithë sportistët janë duke u stërvitur dy herë në ditë.
“Gjendja shpirtërore dhe fizike e sportistëve tanë është perfekte. Sportistët stërviten dy herë në ditë. Sot presim Luizën dhe kështu plotësohet i gjithë delegacioni olimpik. Koha është perfekte për gara. Sot në Rio zhvillohet ceremonia e hapjes e jemi në pritje të marrjes së të dhënave”, – ka përfunduar Ruli, ndërsa kështu delegacioni shqiptar është gati për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.