Gjergj Vyshka 16.08.2016 19:50
“Princi i erës” në një prononcim për “BBC”-në pas fitores në 100 metra ka treguar: “Jam i befasuar nga vërshëllimat drejt Gatlinit”. Jusein Bolti ka dhënë një deklaratë pas fitores në 100 metra në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, fitorja e tretë në tri Olimpiadat e fundit, njeriu i vetëm në histori të atletikës që ka arritur të bëjë diçka të tillë. “Jam vërtetë i lumtur, por mendoj se do të mund të vrapoja më shpejt”, ka thënë Bolt për rrjetin britanik.
“Por jam shumë i lumtur që fitova dhe kjo ka rëndësi, – ka vijuar xhamajkani. – Pas gjysmëfinales jam ndjerë jashtëzakonisht mirë. Doja të vrapoja më shpejt, por koha nuk ishte si zakonisht. Ne normalisht kemi dy orë pushim pas gjysmëfinales deri në finale, por dje kishim vetëm një orë e 20 minuta. Ishte sfiduese. Por, kjo është ajo për të cilën ne stërvitemi. Ju kam thënë se do të fitoj. Rrini gati janë edhe dy gara të tjerë që duhet t’i fitoj.”
Atleti xhamajkan do të garojë edhe në 200 metra e në stafetën 4 x 100 metra. Bolti është befasuar edhe me vërshëllimat që iu bënë amerikanit Xhastin Gatlin, fitues i medaljes së argjendtë. “Isha i befasuar, është hera e parë që vij në stadium dhe tifozët e fishkëllejnë dikë, isha i shokuar”, – ka përfunduar Bolt, atje ku sytë e veshët e botës kanë qenë të fiksuar vetëm tek ai. Sepse pas përfundimit të notit dhe garimit të Felpsit, atletika shihet vetëm prej Jusein Boltit.
Fitoret e Boltit në 100 metra:
2008 Lojërat Olimpike, Pekin 9”69 (Rekord Botëror)
2009 Kampionati Botëror Berlin 9”58 (Rekord Botëror)
2012 Lojërat Olimpike Londër 9”63 (Rekord Olimpik)
2013 Kampionati Botëror, Moskë 9”77
2015 Kampionati Botëror Pekin 9”79
2016 Lojërat Olimpike, Rio 9”81