AlbanianSport.com 09.08.2016 07:55
ASNN – Kosova humbet shansin e dytë për medalje olimpike, eliminohet Nora Gjakova. Kreu i Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka, nuk e bën dramë humbjen e xhudistes, që është eliminuar në turin e 32-shes nga rumunia Saprioriu. Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, i ka dhënë lamtumirën Olimpiadës së Rios.
Edhe pse kishte shpresa se mund të bëhej garuesja e dytë që mund t’i sillte Kosovës një medalje olimpike, Gjakova nuk ai doli dot. Ajo humbi ndeshjen me rumunen Korina Saprioriu në turin e 32-shes. Para ndeshjes, trajneri Dritan Kuka paralajmëroi se Gjakova nuk ishte në formën më të mirë pas një dëmtimi në stërvitje.
Sidoqoftë, Nora kaloi turin e parë, pasi mposhti kolumbianen Jadinys Amaris, por dështoi në pengesën e radhës ndaj rumunes. Agron Kuka, kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, ka thënë se, pavarësisht eliminimit të Nora Gjakovës në turin e dytë të xhudos në “Rio 2016”, Kosova duhet të krenohet me suksesin e xhudistëve të saj.