AlbanianSport.com 07.08.2016 18:05
ASNN – Majlinda Kelmendi ka arritur fitoren e dytë në Lojërat Olimpike për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të “Rio 2016”. Kjo ndeshje gjysmëfinale do të sillet sonte për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 21:00.
Kështu, kampionia e botës, Majlinda Kelmendi, duket më afër medaljes së artë në “Rio 2016” pasi ka shënuar fitoren e dytë në Lojërat Olimpike, duke mposhtur xhudisten Kristianë Lezhentil. Kjo e fundit e kishte eliminuar Majlindën nga Olimpiada e mëparshme, “Londër 2012”.
Por kampionia e botës u tregua shumë më e mirë në “Rio 2016”, duke fituar e duke siguruar kalimin në gjysmëfinale. Më herët, xhudistes së mirënjohur kosovare i janë dashur vetëm 25 sekonda për të mposhtur kundërshtaren e parë në kategorinë e peshës trupore deri më 52 kg.
Ajo e ka përfunduar shumë shpejt këtë ndeshje, duke e mposhtur zviceranen Evelinë Tshop me “Ipon”. Sipas faqes zyrtare të Lojërave Olimpike Rio 2016, Majlinda Kelmendi do të përballet me Misato Nakamuran në gjysmëfinale, në ndeshjen që nis saktësisht në orën 21:05.