Gjergj Vyshka 14.08.2016 09:00
Garimi i Luiza Gegës në 3000 metra me pengesa dhe i Izmir Smajlajt në kërcim së gjati, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht larg rezultateve të tyre, dëshmojnë paraqitjen e keqe të kuqezinjve, kjo për shumë arsye. Kështu, Shqipëria i ka larë duart me Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Gara e Luiza Gegës në 3000 metra me pengesa dhe ajo e Izmir Smajlajt në kërcim së gjati, jo vetëm që kanë vërtetuar dështimin e atletikës shqiptare, teksa të dy sportistët më të mirë të mbretëreshës kanë qenë jashtëzakonisht larg rezultatit të tyre, por dhe në tërësi të delegacionit shqiptar.
Një Olimpiadë e turpit, e cila përmblidhet me vendin e 6-të të Briken Caljes në peshëngritje pesha 69 kg, me vendin e 8-të të Evangjeli Velit në peshëngritje pesha 53 kg, me vendin e 41-të të Sidni Hoxhës në 50 metra stil i lirë, me vendin e 43-të të Nikolë Merizajt në 100 metra stil i lirë, me vendin e 21-të të Izmir Smajlajt në kërcim së gjati dhe me vendin e 48-të të Luiza Gegës në 3,000 metra me pengesa, që ishte shpresa e vetme për medalje olimpike.
Dështimi është fjalë e përgjithshme, por delegacionin olimpik shqiptar, atje ku pati më shumë zyrtarë se sa sportistë, atje ku një pjesë e mirë shkojnë për turizëm dhe askush nuk bën punën që duhet, atje ku as mjeku i ekipit nuk merret me dëmtimet e olimpistëve, por vazhdon të bëjë foto me VIP-at e sportit botëror, është veshur me një njollë të zezë turpi, që nuk ka njeri ta fshijë. Nëse bota punon katër vjet, ne punojmë një javë për Lojërat Olimpike dhe fundi dihet, asnjë rezultat i parashikuar dhe qëndrim për pushime deri në ditën e fundit të Olimpiadë.
Nëse dihej që Luiza Gega e kishte një dëmtim dhe ishte me pikëpyetje të madhe, falë dy fizioterapistëve Sidita Hoxholli dhe Alban Merepezës ka garuar dje nën mundësitë e veta, duhet të ishin bërë gjithë njësh për atë sportiste që është ndër më të mirat e vendit tonë. Sepse, për hir të së vërtetës, e thënë dhe nga goja e trajnerit Stërmasi, ajo e dje e ka mbyllur vitin sportiv. Tashmë për t’u marrë seriozisht me këmbën e saj që mjekësia sportive shqiptare nuk arriti t’ia kthejë në gjendje optimale. Sepse ajo këtë dëmtim e ka pasur që në Amsterdam e pse jo dhe më përpara.
Dhe asnjëherë nuk është stërvitur nën kontrollin mjekësor. 9’58”49 me 9’28”52 gati një muaj më parë jo vetëm që janë si nata me ditën, me një diferencë prej 30 sekondash, por nuk është as kohë që Luiza e bën në stërvitje. Vendi i 16-të në baterinë e dytë dhe vendi i 48-të në renditjen e përgjithshme dhe asgjë më shumë. Luiza ndoshta do të kishte bërë dhe të tërhiqej, sepse nuk do të ishte aspak turp me atë dëmtim që ajo ka pasur.
Por me krenarinë e saj dhe vullnetin e saj dhe të trajnerit Stërmasi e bëri garën, paçka se një pjesë e mirë drejtuesish mund të fërkojnë duart me rezultatin e saj negativ. E megjithatë ajo është nënkampionia jonë e Evropës dhe asnjëherë nuk duhet hedhur poshtë…
Rezultatet e delegacionit olimpik shqiptar
Peshëngritje:
Pesha 53 kg Evangjeli Veli vendi i 8-të (165 kg)
Pesha 69 kg Briken Calja vendi i 6-të (326 kg)
Not:
100 m stil i lirë Nikol Merizaj vendi i 43-të (59”99)
50 m stil i lirë Sidni Hoxha vendi i 41-të (22”80)
Atletikë:
Kërcim së gjati Izmir Smajlaj vendi i 21-të (7.72 m)
3,000 me pengesa Luiza Gega vendi i 48-të (9’58”49)