AlbanianSport.com 18.08.2016 14:35
ASNN – Do të jetë një duel gjigandësh finalja e turneut olimpik të futbollit të meshkujve në Rio, pasi për kurorën e artë do të përballen me njëra-tjetrën Brazili vendas dhe Gjermania.
Përfaqësuesja vendase, e cila është në një mision të dëshpëruar për të gjetur të parën medalje të artë olimpike në histori, pavarsisht se është 6 herë kampione e botës në futbollin e të rriturve, ka shpartalluar Hondurasin me rezultatin 6-0, duke siguruar biletën për në finale.
Ylli i Brazilit, Nejmar, shënoi golin më të shpejtë në historinë e futbollit olimpik, pas vetëm 15 sekondash, duke vijuar të shënojë edhe në skajin tjetër kohor të ndeshjes, për të vulosur një fitore historike.
Nga ana tjetër, gjermanët u mjaftuan me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje, për të mundur Nigerinë 2-0 dhe për të siguruar finalen e madhe të së shtunës ndaj Brazilit vendas.