Gjergj Vyshka 23.08.2016 11:10
Lojërat e 31-ta olimpike verore kanë ulur siparin e tyre në mesnatë në kryeqytetin e Brazilit, ndërsa Japonia ka marrë flamurin olimpik si vendi mikpritës i Olimpiadës së ardhshme. Me mushama në kokë, ashtu sikurse pjesa më e madhe e të gjitha delegacioneve olimpike pjesëmarrëse në “Rio 2016”, edhe Shqipëria i ka dhënë lamtumirën kryeqytetit brazilian.
Shefi i misionit të Shqipërisë në “Rio 2016”, Gjergji Ruli, shoqëruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, mjeku i delegacionit olimpike, Mel Ostreni, trajnerët Taulant Stërmasi, Vildan Tufi, Sadik Mema e Leonard Toska, por dhe sportistët Luiza Gega, Nikol Merizaj, Izmir Smajlaj e Briken Calja, së bashku me zyrtarin e delegacionit olimpik Kliton Muça kanë parakaluar për herë të fundit në Rio.
E kësisoj Shqipëria i ka dhënë lamtumirën Rios me premtimin brenda vetes se do të jetë me një delegacion më të madh pas katër vjetësh në Tokio. Kjo në numër sportistësh, gjithnjë nëse do të fillohet të punohet që tani.