AlbanianSport.com 17.08.2016 18:00
ASNN – Do të jetë një duel midis Gjermanisë dhe Suedisë finalja e turneut olimpik të futbollit për femra, pasi të dyja rivalet evropiane eliminuan në gjysmëfinale pikërisht dy kundërshtare nga kontinenti amerikan.
Nordiket, të drejtuara nga njëra prej trajnereve më të mira në botë të futbollit të femrave, Pia Sunhage, të cilat ishin mundur 1-5 nga Brazili në ndeshjen e grupit, bënë një paraqitje solide, ndonëse jo dhe aq të bukur, duke ia prishur festën vendaseve dhe duke e mundur Brazilin pas goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave.
Nga ana tjetër, gjermanet ishin më pragmatiste dhe cinike përballë një Kanadaje premtuese dhe ambicioze, duke fituar me nga një gol për secilën pjesë loje. Të dy gjysmëfinalet u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.