AlbanianSport.com 21.08.2016 09:40
ASNN – Jusein Bolt e ka përmbushur me suksesin misionin e tij historik për të arritur atë që është quajtur “Treshja e Trefishtë”, domethënë fitimit të të 3 garave të shpejtësisë, 100 metra, 200 metra dhe stafetën ekipore 4 herë 100 metra në 3 Olimpiada. Por kjo arritje e xhamajkanit rrezikon të zhbëhet, pasi njëra nga këto medalje është njollosur, ndonëse jo për faj të tij, nga dopingu.
Kishte ardhur në këtë edicion të 31-të të Lojërave Olimpike Verore me misionin për të shkruar emrin me germa të arta në historinë e atletikës dhe ia doli. Me medaljen e artë të fituar duke qenë pjesë e Xhamajkës në stafetën e 4 x 100 metrave, Jusein Bolt tregoi se mbetet një sportist i jashtëzakonshëm. Ai ka plotësuar edhe që quhet “Treshja e Trefishtë”, domethënë fitimit të të 3 garave të shpejtësisë, 100 metra, 200 metra dhe stafetën ekipore 4 herë 100 metra, në 3 Olimpiada.
Por kjo arritje e xhamajkanit rrezikon të zhbëhet, pasi njëra nga këto medalje është njollosur, ndonëse jo për faj të tij, nga dopingu. Sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, medalja e artë, e fituar në stafetën ekipore 4 herë 100 metra në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, është vënë në diskutim. Kjo pasi njëri nga 3 atletët e tjerë që garoi bashkë me Boltin në atë garë, Nesta Karter, ka rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara.
Xhamajkani është një nga 31 atletët që kanë rezultuar pozitivë në përsëritjen e analizave të kryera gjatë asaj Olimpiade dhe ai ka të drejtë të apelojë për të bërë edhe analizën e dytë, apo testin B. Mbetet për t’u parë sesi do të vendosë Federata Ndërkombëtare e Atletikës dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në këtë rast, ndonëse do të ishte një goditje e rëndë dhe, mbase, e padrejtë për Jusein Boltin.