AlbanianSport.com 10.08.2016 02:05
ASNN – Në garën që ka nisur pak pas mesnate, Briken Calja është renditur i gjashti në Olimpiadë, duke qenë kështu më i miri i kuqezinjve deri më tani në Rio. 145 kg të ngritura në stilin e shkëputjes dhe 181 kg në atë të shtytjes, kanë bërë që, në total, në dygarësh ai arrijë 326 kg.
Shtangisti shtërmenas, i cili ka garuar në kategorinë e peshës trupore deri 69 kg për meshkuj, është renditur kështu i 6-ti në dygarësh, duke qenë 3 vende më sipër sesa në Olimpiadën e mëparshme, “Londër 2012”. Po kështu, edhe rezultatin e përgjithshëm e ka më të lartë se sa në “Londër 2012”.
Sepse ka qenë 320 kg para katër vjetësh, ndërsa tanimë është 326 kg. Ndërkohë, ai ka barazuar kështu edhe rezultatin e Romela Begajt, e cila u rendit e 6-ta në “Pekin 2008”. Sa i përket podiumit, Shi Zhi-xhong i jep medaljen e 8-të të artë Kinës, ndërsa Turqia merr medaljen e parë me të argjendtën e Ismailovit.
E po kështu edhe Kirgiztani me të bronztën e Artikovit. Vendi i 6-të i Caljes, duke shtuar këtu dhe vendin e tetë të Evangjeli Velit, janë sukses për peshëngritjen shqiptare, që përtej problemeve të shumta me dopingun, doli me kokën lart nga Olimpiada braziliane, Rio 2016.