Gjergj Vyshka 19.08.2016 18:00
Briken Calja, sportisti më i mirë i Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro”, teksa është konfirmuar në vendin e 5-të në peshën 69 kg, ka folur për herë të parë për “Sport Ekspres” për garën që pati të mërkurën e kaluar. “Jam super i lumtur, – thotë Calja, – Falënderoj të gjithë ata që besuan dhe më mbështetën për këtë rezultat historik.”
Pyetjes së “Sport Ekspres” se çfarë do të kërkonte më shumë nga gara për të arritur një tjetër rezultat, Calja do t’i përgjigjej: “Të isha më i qetë do të ishte gjëja më e mirë gjatë garës. Sepse të jeni të sigurt se do të kisha bërë një rezultat shumë herë më të mirë. Ajo që do të kërkoj në garat e ardhshme është të thyej rezultatin tim, pra këtë që kam bërë në Rio, që është 326 kg në dygarësh, ta përmirësoj dhe ta thyej.”
“Ju siguroj se nëse do të isha më i qetë do të kisha bërë “super-rezultat”, – ka vijuar shtërmenasi. – Por e humba kontrollin dhe qetësinë e kjo nuk ishte gjë e mirë për mua. Megjithatë për këtë rezultat do të doja të falënderoja Dashamir Xhikën, Altin Toskën dhe familjen time që besuan tek unë. Por mbi të gjitha dhe Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe presidentin Elez Gjoza.”
“Me sa di unë është rezultati më i mirë në historinë e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, sepse është i barabartë me vendin e katërt”, – ka përfunduar Calja, kurse delegacioni olimpik shqiptar, pasi të ketë marrë pjesë dhe në ceremoninë e mbylljes në Rio, pavarësisht se ka një javë që i ka përfunduar garën, kthehet në Rinas më 24 gusht në ora 11:00.