Gjergj Vyshka 10.08.2016 16:10
Katër vjet më parë, me renditjen në vendin e nëntë në dygarësh në Londër 2012, Briken Calja ka qenë më i miri i delegacionit shqiptar në atë olimpiadë. 320 kg në dygarësh, 143 kg në shkëputje dhe 177 kg në shtytje. E kësisoj ka pasur vend për t’u krenuar. Ndërsa katër vjet më prapa, e nis mirë garën e shkëputjes teksa ka realizuar pastër dhe pa asnjë vështirësi provën e parë me 145 kg.
Por i djeg dy provat e tij me 151 kg në shkëputje duke u renditur i teti. Edhe në shtytje e ka nisur mirë. Prova e parë është 175 kg. Në të dytën ka pritur dhe kundërshtarët e tjerë për të realizuar provën e tij. Vendos 181 kg dhe e realizon me sukses. Ndoshta e tepruar tentativa për të rritur shtangën me tre kilogram, sepse shumë mirë mund të kishte realizuar 183 kg dhe të ishte i nderuar në provat e tij.
184 kg, por as nuk e vë në gjoks, ndërsa është një provë e dështuar. Megjithatë me shumë meritë e zotësi është në vendin e 6-të duke barazuar kështu dhe rezultatin e Romela Begajt në “Pekin 2008”. Por që është një sukses i madh për të. Në fakt gara në stilin e shkëputjes është dominuar nga turku Ismailov, që me një kilogram më shumë se sa kinezi Shi Zhizhong, 163 kg turku dhe 162 kg kinezi, kanë ndarë vendin e parë dhe të dytë.
Në të tretin ka ardhur koreanoveriori Kim Miong Hiok, i cili ka ngritur 157 kg. Por duke dështuar në tre prova në shtytje nuk është renditur në dygarësh. E për rrjedhojë i ka hapur vendin kirgistanasit Artikov që me 188 kg është i treti në shtytje. Po me 188 kg është dhe Ismailov i Turqisë, që ka zënë vendin e dytë, kurse në të parin kinezi Shi Zhixhong.
Përfundimisht Shi Zhixhong i jep medaljen e 8-të të artë Kinës, Turqia merr medaljen e parë me Ismailov e po kështu dhe Kirgiztani me Artikov. E vendi i gjashtë i Caljes, shtuar këtu dhe vendi i tetë i Velit, janë sukses për peshëngritjen shqiptare, që përtej problemeve disavjeçare me dopingun, doli me kokën lart nga Lojërat e 31-ta Olimpike Verore.