AlbanianSport.com 05/09/2021 20:55
ASNN – Edhe Ronaldo është rikthyer në skuadër me të njëjtin synim. Mançester Junajtid beson te fitimi i titullit të Premier Ligës Angleze për këtë sezon. Është vetë trajneri i “Djajve të kuq”, Ole Gunar Solskjaer ai që u ka thënë futbollistëve të tij që të kenë besim në realizimin e këtij synimi. Ai e bazon këtë pas ardhjes në skuadër të lojtarëve të tillë si Rafael Varane, Xhejdon Sanço dhe, sidomos, Kristiano Ronaldos. Madje, Solskjaeri i ka thënë skuadrës së tij të Mançester Junajtid se ata janë më të mirë se skuadra e vitit 1999, që fitoi 3 trofe dhe ku bënte pjesë edhe ai vetë me trajner Sër Aleks Fergusonin.
“Djajtë e Kuq kanë marrë në skuadër Rafael Varanen, Xhejdon Sançon dhe Kristiano Ronaldon dhe kanë 7 pikë në Premier Ligë pas 3 javësh. Rikthimi në “Olld Traford” për Ronaldon, pas 12 vitesh pasi u nis drejt Realit të Madridit, është një lëvizje veçanërisht e rëndësishme për skuadrën angleze. Ardhja e portugezit, sipas Solskjaer e ka bërë Junajtid më të besueshëm për të fituar titullin në kampionatin anglez. Sipas mediave angleze, norvegjezi mendon se lojtari i vetëm që mund të ketë një ndikim të ngjashëm me Ronaldon në skuadër, është sulmuesi i ri i Çellsit, Romelu Lukaku.
Ky i fundit u bashkua me “blutë” londinezë pas një marrëveshjeje prej 98 milionë stërlina në fillim të kësaj vere. Kristiano Ronaldo i ka bërë tashmë të qarta ambicjet e tij të larta me Mançester Junajtid pas kthimit të tij në “Olld Traford”, kur vetë portugezi u thotë shokëve të skuadrës se dëshiron të fitojë titullin këtë sezon. Mançester Junajtid e ka filluar mirë këtë sezon, me 7 pikë të marra, nga 9 të mundshme, në 3 javët e para. Ronaldo është zotuar se “historia do të shkruhet edhe një herë”, pasi ka fituar Premier Ligën, Ligën e Kampioneve dhe “Topin e Artë” gjatë qëndrimit të tij të parë në klub.
Pavarsisht viteve që mbart mbi supe, Ronaldo pritet të ndezë ambicjet e shokëve të skuadrës për titullin anglez, pasi u kurorëzua si golashënuesi më i mirë i Italisë sezonin e kaluar. Ai ka marrë fanellën e tij të vjetër me numin “7” pas kthimit të tij në “Old Traford”, edhe falë gjestit bujar të shokut të ri të skuadrës, Edinson Kavanit. Portugezi e vlerësoi mjaft dhe e falënderoi uruguaianin për këtë gjest. Ndërkohë, Ole Gunar Solskjaer ende nuk ka fituar një trofe në “Olld Traford” dhe shpreson që kjo gjë të ndryshojë këtë sezon.