AlbanianSport.com 25.10.2014 09:35
ASNN – Përtej zhurmës së vendimit të UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri, futbolli shqiptar rikthehet sot në fushat e blerta me dy ndeshjet e para të javës së 9-të të Kategorisë Superiore si dhe me të gjitha takimet e dy grupeve të Kategorisë së Parë.
Në Kategorinë Superiore, duke nisur nga ora 14:00 luhet në Korçë dueli midis Skënderbeut dhe Vllaznisë. Ndërkohë, po në të njëjtën orë luhet në Kukës përballja midis skuadrës vendase dhe Flamurtari.
Kjo ndeshje, që është në fakt një përsëritje e finales së sezonit të shkuar të Kupës së Shqipërisë, ku triumfuan vlonjatët, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
3 takimet e tjera të javës së 9-të luhen të dielën dhe, duke nisur nga ora 15:00, Laçi pret Apoloninë, ndërsa duke nisur nga ora 18:00, zhvillohen përballjet Partizani-Elbasani dhe Teuta-Tirana.
Në prag të ndeshjeve të javës së 9-të, renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë dy rivalet kryeqytetase, Tirana dhe Partizani, me nga 15 pikë secila, të ndjekura nga Flamurtari, Laçi dhe Kukësi, me nga 13 pikë, dhe Skënderbeu me 12.