AlbanianSport.com 25/08/2018 21:40
ASNN – Pas disa javësh pushim për atë që quhet pushimi veror, Formula 1 është rikthyer në Rrjetin e Radio-Televizonit Shqiptar me provat zyrtare të Çmimit të Madh të Belgjikës.
Kjo është gara e 13-të e sezonit të këtij kampionati dhe, në prag të saj, Ljuis Hemiltoni i “Mercedes”-it kryeson renditjen e përgjithshme të pilotëve me 213 pikë, i ndjekur nga dyshja e “Ferrari”-t, Sebastian Fetel dhe Kimi Raikonen, me përkatësisht 189 dhe 146 pikë.
Piloti tjetër i “Mercedes”-it, Valteri Botas, mban vendin e 4-të, me 132 pikë, ndërsa pas tij vjen dyshja e “Red Bull”-it, Daniel Riçiardo dhe Maks Verstapen, me përkatësisht 118 dhe 105 pikë.
Dhe provat zyrtare të garës belge janë kushtëzuar edhe nga moti i vrenjtur dhe gjithçka është vendosur vetëm në sekondat e fundit. Dhe do të jetë britaniku Hemilton ai që do të niset nga vendi i parë në garën e së dielës, për herë të 5-të në pistën belge dhe të 78-tën në karrierë.
Ndërsa përkrah tij, do të jetë rivali gjerman i “Ferrari”-t, Sebastian Feteli. Supriza e provave zyrtare të shtunën ishte vendi i 3-të në nisje, i siguruar nga Sebastian Okon i skuadrës “Forsë India”. Edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 15:00.