AlbanianSport.com 23/03/2019 20:00
ASNN – Rikthehet “Klasikja” Tirana-Dinamo, bardheblutë fitojnë miqësoren 2-0. Të shtunën në kryeqytet u luajt një ndeshje miqësore jo e zakonshme, një derbi që i mungon kryeqytetit dhe bëhet fjalë për duelin Tirana-Dinamo, një klasike e futbollit shqiptar.
Ndeshja u luajt në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, quajtur ndryshe edhe ish-stadiumi “Dinamo”, pikërisht në një miqësore e luajtur pasditen e kësaj të shtune. Tirana ishte më lart në lojë dhe kjo u reflektua edhe në rezultat. Në këtë përballje bardheblutë fituan 2-0 me golat e Edon Hasanit dhe Jonus Sentamusë.
Në fajkt, ishin dy gola të shënuar brenda 3 minutash, në atë të 35-ën dhe atë të 38-ën. Natyrisht, diferencat midis dy skuadrave ishin të ndjeshme, megjithëse edhe Tirana është skuadër që ka probleme serioze këtë edicion. Në pjesën e dytë skuadrat u kujdesën më shumë që të eksperimentonin me skemat taktike.
Por edhe të fusnin në fushë lojtarë të rinj. Nuk pati më ndryshim rezultati dhe Tirana fitoi 2-0 klasiken e futbollit shqiptar, megjithëse kjo ishte një përballje thjesht miqësore, luajtur në kuadër të pushimit të kampionatit për shkak të angazhimit të skuadrës kombëtare.