Nga Ilir Taflaj* 05.10.2016 23:05
Shumë herë, problemet burokratike dhe fiskale e postojnë vëmendjen nga problemet e organizimit të vërtetë të një Federate. E gjithë kjo sjell uljen e përqendrimit dhe kohës së investuar në aspekte realisht të rëndësishme të organizimit, siç janë pjesëmarrja, formimi dhe motivimi i drejtuesve, formimi dhe motivimi i trajnerëve, formimi dhe motivimi i lojtarëve, futja e kulturës dhe e vlerave në sport, organizimi i veprimtarive dhe organizimi në përgjithësi.
Suksesi i ekipeve kombëtare nuk varet vetëm nga burimet financiare, por kryesisht nga cilësia e burimeve njerëzore. Në këtë aspekt, rikonfirmimi i tij është një hap gjigand dhe shumë pozitiv në vazhdimësinë e përpjekjeve të FSHB-së për të ngritur nivelin e rezultateve të ekipit tonë kombëtar. Konstandinidesi i dha lojës së ekipit tonë një fizionomi të qartë në sulm, por shumë më tepër dhe në mbrojtje.
Ai, në kundërshtim me interesin personal të momentit të çdo trajneri profesionist në karrierë, sakrifikoi dhe i dha gjithë hapësirën e duhur lojtareve të rinj dhe të perspektivës, duke bërë që basketbolli ynë të fitojë disa lojtarë të tillë, por, gjithmonë pa cënuar hapësirën e “senatoreve” tanë, të tillë si Gerti Shima, Endrit Hysenagolli, Red Vogli, etj.
Por, pika më e fortë e tij, në opinionin tim, është se ai bëri një punë kolosale në identifikimin dhe kontaktimin e gjithë elementëve të perspektivës së basketbollit shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve. Disa i kemi parë, të tjerë do të afrohen në të ardhmen. Qiprioti krijoi një “sofër” bashkëbisedimi me të gjithë, punë jo shumë e lehtë, duke ditur që ne jo të gjithë “u japim rremave të varkës në të njëjtin drejtim.”
I ndihmuar shumë profesionalisht nga ndihmësit e tij, Afrim Bilali, dhe Andreas Rumani, në këtë aspekt, ia arriti qëllimit. Në përfundim, duke përshëndetur këtë zgjedhje të shkëlqyer të presidentit Avni Ponari, i uroj trajneri Antonis Konstandinides dhe stafit e tij suksese në të ardhmen.
Basketboll të mirë të gjithëve!
* Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Basketbollit