AlbanianSport.com 12/11/2018 20:30
ASNN – Bajerni i Mynihut humbi të shtunën në mbrëmje përballë Borusias së Dortmundit 3-2 dhe mbeti 7 pikë prapa në klasifikim (27-20), si dhe ra në vendin e 5-të në Bundesligë. Humbja ishte e papritur dhe më mirë se kushdo tjetër e përshkruan një episod i ndodhur pas ndeshjes, ku mesfushori me tipare sulmuese, Frenk Riberi, goditi me shuplakë 3 herë e në fund e shtyu gazetarin francez të “BeIn Sports”, Patrik Zhuillë.
Gjithçka ndodhi në mjediset e stadiumit “Signal Iduna Park” të Dortmundit, kur gazetari është afruar të flasë me Riberinë, por nervat e lojtarit francez kanë qenë të tendosura në maksimum dhe ai nuk është përmbajtur, duke qëlluar me shuplakë 3 herë gazetarin në fjalë dhe në fund i ka dhënë edhe një të shtyrë, duke e “kompletuar” skandalin e tij. Ngjarja bëri bujë të madhe në media.
Madje u pranua edhe nga vetë zyrtarët e Bajernit të Mynihut, ku drejtori Hasan Salihamixhiç ka tentuar të pajtojë palët. Është gazeta e madhe gjermane “Bild” që shkruan se drejtori sportive ia doli të organizojë një takim mes Riberisë dhe gazetarit francez për të sqaruar situatën mes tyre dhe ta mbyllnin këtë çështje pikërisht aty për aty.
Sidoqoftë, klubi i Bajernit dhe komisionet disiplinore të federatës gjermane mund të marrin masë penalizuese ndaj Riberisë, nisur nga sjellja agresive dhe dhunimi i medias së lirë. Ngjarje të tilla në Gjermani të shkatërrojnë karrierën dhe askush nuk do t’ia dijë që Riberi në ato momente kishte ikur nga mendtë dhe se çdo gjë e bëri në nervozizëm e sipër.