Gjergj Vyshka 22.01.2015 07:55
Arbër Capa dhe Dinamo duket se ia kanë marrë dorën Butrintit, teksa tashmë në këtë kampionat i kanë marrë pesë pikë skuadrës sarandjote. Pas dy barazimeve, 1-1 në “Selman Stërmasi” dhe 0-0 në Sarandë, tashmë vjen dhe fitorja. Një fitore e vuajtur e Dinamos, e cila, edhe pse është munduar të adaptojë atë mënyrë loje të trajnerit Sejdini, sërish ka probleme. Sarandjotët janë munduar të godasin me Rraboshtën dhe Mustafajin, por nuk ia kanë arritur qëllimit. Blutë kanë pasur dhe reagime jo fort normale ndaj gjyqtarëve, ndërsa këta të fundit, të paktën dhe sipas trajnerit Hysi, i kanë mohuar një 11-metërsh Butrintit.
Aq sa delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit, Marjus Sulejmani dhe vëzhguesi i ndeshjes, Arjan Mali, kanë kërkuar ndihmën e kameramanëve për të parë rastin e dyshimtë. Pas së cilës do të vijë dhe vlerësimi për treshen e gjyqtarëve me në krye Blendi Breshanajn. Përtej kësaj, Dinamo ka fituar, ndërsa kështu largohet dhe më shumë nga rreziku i rënies, por në të njëjtën kohë i afrohet kreut, teksa Bylis dhe Lushnja dje janë frenuar. Vetëm se ajo që duhet të ndodhë është rritja e ritmit të lojës, sepse realisht, teksa është frenuar dhe Sopoti, Dinamo i ka shanset matematikore për të shkuar në Superiore.
Ndonëse blutë duan të sigurojnë mbijetesën. Dinamo ka luajtur dje me një skemë taktike 4-1-3-2, atje ku Tafaj është në stol, ndërsa Ferraj është vendosur në krahun e djathtë të mesfushë, ndërsa Allmuça është përpara mbrojtjes. Capa dhe Arifaj janë munduar të bëjnë dyshen sulmuese, e cila ka funksionuar deri në shënimin e golit. Gradualisht Butrinti shtrihet deri në portën e Kotorrit, kurse elbasanasi është detyruar të presë një gjuajtje të Papa nga distanca prej 20 metrash. Deri në përfundim të pjesës së parë, rrezikon Dinamo me anë të Ferrajt, si dhe Butrinti, përsëri me atë të Papës, por gol s’ka.
Në fundin e pjesës së parë tenton Ferraj dhe kundërpërgjigjet Rraboshta, por në përfundim 1-0. Dhe pse Mustafaj për Butrintin, apo Arifaj e Imami për Dinamon tentojnë të ndryshojnë shifrat e rezultatit, sërish gjithçka ka mbetur tek 1-0 për blutë, që kështu me ardhjen e Sejdinit kanë marrë fitoren e dytë radhazi. Ndoshta ringjallja e bluve po ndihet.
Dinamo – Butrinti 1-0
Shënues: Capa 5’
Dinamo: Kotorri, Shazivari, Shkalla, Muça, Thana, Rexhepi, Ferraj, Allmuça, Imami (Tafaj 90’+3), Capa (Hysenbelliu 60’), Arifaj (Tragaj 85’). Trajner: F. Sejdini
Butrinti: Haxho, Xhuvani, Nela (Zguro 79’), Alzeneli, Rapa, Jubani (Meçani 51’), Mustafaj (Bazaj 68’), Hepaj, Dorti, Papa, Rraboshta. Trajner: M. Hysi
Gjyqtarë: B. Breshanaj, D. Tomorri, A. Morina (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Muça, Ferraj / Rraboshta