Gjergj Vyshka 19.01.2017 13:45
Tufa me lule, Kupë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, Pllakë qelqi me rekordin e tij, premtim për shpërblim dhe mbi të gjitha shumë urime për mjeshtrin. Ymer Pampuri, Kampioni i Botës dhe rekordmeni i Botës në stilin e forcës me 127.5 kilogram, pati mbushur 70 vjeç më 23 shkurt 2014. Federata Shqiptare e Peshëngritjes ia pati festuar me madhështi këtë datëlindje mjeshtërit, që për të gjithë është një shembull i vetëm në llojin e tij.
Në një nga sallat e Hotel “Tirana-International” shumë figura të sportit, jo vetëm të peshëngritjes, por dhe të disiplinave të tjera sportive, ishin mbledhur për datëlindjen e këtij mjeshtëri. Këtij mjeshtëri që në fakt, edhe përpara festimeve, e ka pasur merakun se e kanë harruar. “Më kanë harruar, veçanërisht në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, – pati thënë ai. – Në asnjë olimpiadë nuk jam ftuar të mbajë flamurin, edhe pse e kam nderuar këtë vend.”
“Kam shumë për të thënë, sepse meritoj më shumë mirënjohje”. Këto kanë qenë fjalët e para të Ymer Pampurit në hollin e Hotel “Tirana-International”, teksa ishte nën shoqërinë e një tjetri mjeshtri të shtangës shqiptare, elbasanasit Vehap Xhindolli. Por e gjithë ajo festë me shumë madhështi, i ka ndryshuar mendjen të madhit Pampuri, i cili në fund e ka mbyllur: “Më dukej sikur më kishin harruar. Por ju falënderoj të gjithëve që ishit në këtë mbrëmje për mua, sepse jeni të gjithë miqtë e mi.”
Ymer Pampuri ishte ndër ato figura sportive që i ka dhënë shumë kombit shqiptar, por që duket se ka marrë pak. Ndaj dhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes, përveç festimeve për 70-vjetorin e lindjes, i pati bërë dhuratë dhe një kostum. Por nuk ka mbaruar me kaq. Një kupë e veçantë ka ardhur nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, të cilën ia ka dorëzuar rusi legjendar David Rigert. Dhe të shumta kanë qenë dhe tufat me lule.
Shumë urime e dhurata në një ditë, por duket se Ymer Pampuri ka patur nevojë për më shumë, aq sa ishte propozuar dhënia e një pensioni të veçantë, sepse Shqipëria duhet t’i nderojë këto ambasadorë të sportit. Ndërkohë që, nga 18 nëntori i 2012 në presidencë, nga një grup specialistësh të sportit, pati shkuar propozimi për t’i dhënë titullin “Nderi i Kombit”. Megjithëse një figurë e madhe e peshëngritjes dhe e sportit shqiptar, ky titull mbeti në sirtar, ndërsa sot bëhen homazhet e tij.