AlbanianSport.com 04.01.2016 16:45
ASNN – Kampionati i dytë i shkollave 9-vjeçare, ose sic quhet tashmë Kupa “Coca-Cola”, ka nxjerrë fitues shkollën “Skënderbej” të Shkodrës. Ajo, ka luajtur finalen me ekipin e “Jani Bakalli” të Fierit, e cila ka dalë barazim, pa gola dhe, pas goditjeve të 11-metërshave, kanë fituar shkodranët me shifrat 9-8. Ndeshjet e finale janë luajtur në javën e fundit të dhjetorit, në Komplekin Stërvitor të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, ku janë përballur tre skuadra, të cilat kanë arritur të jenë fituese e rajoneve të tyre.
Shkolla “Jani Bakalli” e qyteti të Fierit, shkolla“Skënderbej” e qytetit të Shkodrës dhe shkolla “Bardhyl Popja” e Elbasanit, te cilat janë ndeshur në një turne final prej 3 skuadrash, për të shpallur fituesin e këtij turneu. Në ditën e finales, shkolla “Bardhyl Popja” e qytetit të Elbasanit, u mund thellësisht 0-3 nga shkolla “Skënderbej” e Shkodrës. Ndërsa në ndeshjen tjetër, shkolla “Jani Bakalli” e Fierit, shpartalloi me rezultatin 5-0, skuadrën e shkollës “Bardhyl Popja”.
Në finalen e zhvilluar në Kompleksin Stërvitor të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, është kryer edhe ceremonia e dhënies së çmimeve. Kompania “Coca- Cola”, përveç çmimeve për vendin e parë, të dytë dhe të tretë, ka dhënë çmime të veçanta për pjesëmarrësit. Turneu i shkollave 9 vjeçare, i cili ka nisur një muaj e gjysmë më parë, është nisma e kompanisë “Coca-Cola” , Federatës Shqiptare të Futbollit, me mbështetjen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ky është edicioni i dytë dhe pritet që në të ardhmen, ai të bëhet akoma më konkurrues. Sipas organizatorëve, ai do të zgjerohet edhe më në vijim.