AlbanianSport.com 22.04.2016 21:15
ASNN – Që futbolli nuk është më thjesht një sport, por një industri e rëndë fitimprurëse financiare, kjo nuk është çudi, por ato që të çudisin çdo vit janë shifrat gjithnjë e më në rritje. Kështu, Mançester Junajtid është klubi që siguroi më shumë të ardhura në sezonin 2014-2015.
“Djajtë e Kuq” kryesojnë renditjen e përvitshme, të përpiluar nga revista amerikane “Forbes”, me 168.24 milionë euro të përfituara në atë sezon. “Forbes” e përgatiti këtë renditje duke u bazuar te të ardhurat nga të drejtat televizive, shitja e fanellave, marketingu si dhe te rregullat e reja të “Fair Play”-it financiar.
Ajo që të bën përshtypje, është se 10 vendet e para janë të zaptuara nga klubet evropiane, që në total, në sezonin 2014-2015 siguruan jo pak, por plot 982.05 milionë Euro. Menjëherë pas Mançester Junajtud, në vendin e dytë renditet Reali i Madridit, me 143.46 milionë euro, ndërsa i treti është Mançester Siti, me 116.01 milionë euro.
Pas tyre, pozicionohen me radhë Arsenali, Liverpuli dhe Barcelona, të ndjekur nga Juventusi, Totenhemi e Shalke 04-ra. Klubi që mbyll dhjetëshen e skuadrave me më shumë të ardhura në sezonin e kaluar është ai i Bajernit të Mynihut, me 53.14 milionë euro.