AlbanianSport.com 29/11/2018 10:40
ASNN – Shqipëria vijon të mbajë pozitën e mëparshme në renditjen botërore të FIFA-s për skuadrat nacionale, edhe pas klasifikimit të muajit nëntor. Duket e habitshme por skuadra kuqezi mban vendin e 60-të, siç bënte një muaj më parë dhe pavarësisht se ka pësuar një disfatë të rëndë si ajo me Skocinë, sërish ruan të njëjtin pozicion, një ngushëllim për trajnerin Kristian Panuçi në këtë fundviti.
Ka prej dy vitesh që Kombëtarja kuqezi vetëm humbet terren në renditjen e FIFA-s për skuadrën kombëtare dhe kjo lidhet me rezultatet e dobëta të ekipit si në ndeshjet miqësore, ashtu dhe në ndeshjet zyrtare. Dështimi në Ligën e Kombeve ishte mjaft evident dhe për çudi FSHF e konfirmoi Panuçin në krye të ekipit kuqezi. E ndërsa Shqipëria qëndron në vend-numëro në FIFA, një tjetër skuadër shqiptare vetëm ngjitet në ranglistën e saj.
Është Kosova e trajnerit Bernard Shalondë, e cila ka përparuar mjaft për këtë muaj, duke përmirësuar 6 vende në renditje. Nga pozicioni nr. 137, tani Kosova renditet në vendin e 131-të. Renditjen e ekipeve kombëtare të FIFA-s e kryeson Belgjika, ndërsa ka rënie të tmerrshme për Gjermaninë, që gjendet tani në vendin e 16-të. Pas shumë muajsh agoni, më në fund edhe Italia ngjallet dhe ngjitet në vend të 18-të.